“Kishin fituar 2.3 miliardë dollarë në vit” – Hetimi i FBI`së në NBA nxjerr në pah rritjen e shpejtë të basteve sportive
Një hetim i gjerë i FBI-së ka çuar në arrestimin e mbi 30 personave, përfshirë lojtarë dhe figura të njohura të NBA-së, mes tyre edhe ylli i Miami Heat, Terry Rozier, në kuadër të një skeme të madhe për baste të paligjshme sportive.
Ky zhvillim ka rikthyer në qendër të vëmendjes industrinë shumë miliardë dollarëshe të basteve sportive në Shtetet e Bashkuara, e cila është zgjeruar ndjeshëm që prej legalizimit të saj në vitin 2018.
Sipas aktakuzës, Rozier dhe persona të tjerë akuzohen se kanë përdorur informacione konfidenciale për të fituar baste në ndeshje të NBA-së. Avokati i tij deklaroi se klienti “nuk është i varur nga bastet” dhe do të “luftojë për të provuar pafajësinë”.
Një padi e veçantë përfshin edhe trajnerin e Portland Trail Blazers, Chauncey Billups, i cili akuzohet për manipulim të lojërave me letra me vlera të larta. Ai i ka mohuar kategorikisht akuzat, duke e cilësuar veten “njeri me integritet”.
Pas vendimit të Gjykatës Supreme të SHBA-së në vitin 2018, që hoqi ndalimin federal për bastet sportive, ky treg është zgjeruar në 38 shtete dhe Uashington D.C., me fitime prej 10 miliardë dollarësh vetëm në nëntëmujorin e parë të këtij viti, sipas të dhënave të American Gaming Association.
Platformat si DraftKings dhe FanDuel kanë bërë të mundur që tifozët të vendosin baste nga telefoni, madje edhe gjatë ndeshjeve në stadium. Por ekspertët paralajmërojnë se rreziku i varësisë dhe manipulimit të rezultateve po rritet ndjeshëm.
Hetimi i FBI-së vjen ndërkohë që edhe India ka ndërmarrë masa drastike ndaj basteve online, duke ndaluar platformat e lojërave të fatit në gusht 2025. Qeveria indiane njoftoi se kompanitë kishin fituar 2.3 miliardë dollarë në vit nga 450 milionë përdorues.
Ky ndalim goditi drejtpërdrejt sponsorin e ekipit kombëtar të kriketit, Dream11, një nga platformat më të mëdha të “fantasy sports” në vend.



