Kitarat e Davit Gilmourit shitet për 21 milionë dollarë
Më 20 qershor, David Gilmour i “Pink Floyd” i vendosi në ankand 127 kitarat nga koleksioni i tij, duke i grumbulluar gjithsej 21,490,750 dollarë. Ankandi, i cili u zhvillua tek Christie’s në New York, i vendosi disa rekorde botërore për shitjen e kitarave.
E para në mesin e tyre ishte “Black Strat”, Fender Stratocaster e vitit 1969 të cilën Gilmour e përdori në çdo album të Pink Floyd, nga albumi “The Dark Side of the Moon” e deri në albumin “The Final Cut”. Ishte ky instrumenti i fundit i shitur gjatë ditës dhe u shit për 3.975 milionë dollarë, për çfarë nga Christie’s thonë se është çmimi më i lartë për një kitarë që është shitur në një ankand.
Dy kitarat e tjera e thyen pragun një milion dollarësh: një Strat e bardhë e para-prodhuar në vitin 1954 me pjesë ari dhe numër serik 0001 (1.815 milionë dollarë) dhe një Martin D-35 akustike e vitit 1969 me të cilën Gilmour thotë se i ka kompozuar shumicën e këngëve. Çmimi i saj i shitjes – 1.095 milionë dollarë – e thyen rekordin e mëparshëm për një kitarë Martin, e cila ishte shitur për 791.500 dollarë për një OO0-42 të vitit 1939, që i përkiste Eric Claptonit. Një tjetër akustike Martin, një D-12 28 me 12 tela që është përdorur në “Wish You Were Here” dhe “Hey You” u shit për 531,000 dollarë.
Ankandi gjithashtu e vendosi një rekord të ri për çmimin për një Gibson Les Paul, në këtë rast kitara me shtresë ngjyrë ari (top gold) e vitit 1955 në të cilën Gilmour e interpretoi solon për “Another Brick in the Wall, Part 2.” Është shitur për 447,000 dollarë. Kitara e tij Strat me ngjyrë të kuqe e vitit 1984, e cila ishte kitara e tij kryesore midis viteve 1988 dhe 2005, u shit për 615,000 dollarë, shkruan KOHA Ditore.
Gilmour është duke i dhuruar të gjitha paratë e fituara nga ankandi për ClientEarth, një organizatë globale e cila e përshkruan veten si “një organizatë bamirëse e cila e përdor fuqinë e ligjit për ta mbrojtur planetin dhe njerëzit që jetojnë në të. “Ne jemi avokatë dhe ekspertë të mjedisit të cilët luftojnë kundër ndryshimeve klimatike dhe për mbrojtjen e natyrës dhe mjedisit”.
“Kriza globale klimatike është sfida më e madhe me të cilën njerëzimi do të ballafaqohej ndonjëherë dhe jemi vetëm edhe disa vite larg nga efektet e ngrohjes globale që janë të pakthyeshme. Shpresoj se shitja e këtyre kitarave do ta ndihmojë ClientEarth në synimin e tyre për ta përdorur ligjin për të sjellë ndryshime të vërteta,” tha Gilmour, “Kemi nevojë për një botë të civilizuar e cila do të vazhdojë për të gjithë nipërit dhe mbesat tona dhe më gjerë në të cilën mund të interpretojnë këto kitara dhe të këndohen këngët.”
“Dhurata e mrekullueshme e David Gilmour do ta mbështesë punën tonë në betejën me krizën klimatike dhe mbrojtjen e natyrës për gjeneratat e ardhshme,” shtoi drejtori ekzekutiv i ClientEarth, James Thornton.



