Kjo është nëna e Dardan Sejdiut – ish kryetare e Gjykatës Ekonomike (Foto)
Fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje zuri në “befasi” Partinë Demokratike të Kosovës (PDK). Ky subjekt politik e pati të vështirë ta pranojë humbjen për vete dhe rritjen e partisë rivale kështu që u hodh në aksion për ta goditur subjektin që udhëhiqet nga Visar Ymeri.
Në politikë nuk zgjidhen mjete për ta sulmuar kundërshtarin dhe kjo u dëshmua edhe në rastin e PDK-së. Anëtarët e partisë së Kadri Veselit, rinisën “betën” paszgjedhore duke i sulmuar deputetët e VV-së, në pjesën që më së paku mund të jenë përgjegjës ata, shkruan Magazina.al.
Figurat e reja të PDK-së, rikthyen fjalorin e vjetër të kësaj partie duke “gjurmuar” në historinë e familjarëve të anëtarëve të VV-së dhe duke i quajtur ata bashkëpunëtorë të regjimit serb.
Kështu u veprua në raport me nënën e Dardan Sejdiut të VV-së. Duke mos ofruar asnjë dëshmi e linçuan Suzana Sejdiun si pjesë të atyre shqiptarëve që vazhduan punën në sistemin e drejtësisë edhe pas viteve të 90-ta.
Deputeti i VV-së, Dardan Sejdiu një ditë më pas ofroi fakte që tregojnë së nëna e tij, Suzana ishte dëbuar nga regjimi serb qysh në vitin 1990 por ajo që mbeti prapa është një njollë që u mundua t’i vishet një zonje e cila pas lufte ka punuar në institucionet e drejtësisë kosovare.
Magazina.al raporton se zonja Sejdiu, ka qenë kryetare e Gjykatës Ekonomike të Kosovës më pas gjykatëse në Gjykatën e Apelit edhe në kohën kur këto institucione konsideroheshin “të kapura” nga PDK-ja. Aktualisht është avokate.

Për ato që i quan shpifje, Dardan Sejdiu, ka paditur zyrtarët e PDK-së që kanë lakuar për të keq emrin e nënës së tij.



