IKD: Projektligji mbi Ndarjet Buxhetore për 2026-n shkel obligimet kushtetuese

IKD: Projektligji mbi Ndarjet Buxhetore për 2026-n shkel obligimet kushtetuese

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka nxjerrë një analizë të Projektligjit mbi Ndarjet Buxhetore për vitin 2026, duke vënë në dukje se ligji i propozuar shkel obligimin kushtetues për rregullimin e shtesës në pagë të zyrtarëve publik.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin KO79/23, reduktimi i pagesës për zyrtarët publik gjatë pesëmbëdhjetë viteve të para të karrierës nuk përputhet me Kushtetutën. Gjykata kishte urdhëruar që Kuvendi i Kosovës të ndryshojë dispozitën për pagesën e përvojës së punës në të paktën 0.5%, me efekt nga data 1 shkurt 2024.

Megjithatë, IKD thekson se Projektligji mbi Ndarjet Buxhetore për vitin 2026 nuk respekton këtë afat kohor. Neni 31.2 i projektligjit parashikon rritjen e pagës bazë në bazë të përvojës së punës duke filluar nga 1 janar 2026, dy vite pas afatit të kërkuar nga Gjykata Kushtetuese.

Punonjësit e shtetit përfitojnë dyfishim të shtesës për përvojën e punës

“Mos veprimi sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese ka sjellë dëm financiar për mbi 90,000 zyrtarë publikë dhe rrezikon krijimin e presionit mbi sistemin gjyqësor, pasi të drejtat e tyre mund të kërkohen përmes gjykatave”, ka vlerësuar IKD në analizën e saj.

Instituti i bën thirrje Kryetares së Kuvendit dhe deputetëve që të mos e miratojnë Projektligjin në këtë formë, por të largojnë nenin 31 dhe të ndërmarrin ndryshimet e nevojshme ligjore në Ligjin për Pagat në Sektorin Publik, duke siguruar kthimin retroaktiv të mjeteve nga 1 shkurti 2024.

Analiza e IKD vjen si paralajmërim për respektimin e parimeve kushtetuese dhe mbrojtjen e të drejtave të zyrtarëve publik në përputhje me vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Shpërndaje në: