Klinaku për rastin e Kurtit: Gjykata vendosi drejt, nuk kishte vepër penale

Klinaku për rastin e Kurtit: Gjykata vendosi drejt, nuk kishte vepër penale

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën për hudhjen e aktakuzës ndaj Faton Klinakut, duke pushuar procedurën penale ndaj tij për veprën penale “Kanosja” ndaj kryeministrit Albin Kurti. Procedura penale do të vazhdojë vetëm ndaj të akuzuarit tjetër, Nuredin Selmani.

Në një deklaratë Klinaku ka thënë se vendimi ishte i pritshëm dhe ka shprehur bindjen se nuk kishte kryer vepër penale.

“Faktikisht, edhe kur u ngrit aktakuza, unë e kam thënë se vepër penale nuk ka pasur. Për këtë arsye kemi ndjekur procedurat penale dhe kemi ushtruar të drejtën e ankesës përmes avokatit tonë,” ka deklaruar ai për indeksonline.

Aktvendimi i Gjykatës, është nxjerrë më 20 nëntor 2025 nga kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Rahman Beqiri, pas shqyrtimit të kundërshtimit të provave dhe kërkesës për hedhjen e aktakuzës, të paraqitur nga mbrojtësi i Klinakut, avokati Ramë Dreshaj. Ndaj këtij vendimi nuk lejohet ankesë në Gjykatën e Apelit.

Sipas aktvendimit, aktakuza e Prokurorisë Speciale e Republikës së Kosovës e datës 1 gusht 2025, për kanosje ndaj kryeministrit, është hedhur pjesërisht, duke përjashtuar Faton Klinakun nga procedura penale. Gjykata ka konstatuar se nuk ka pasur kërkesë pasurore-juridike dhe shpenzimet e procedurës për këtë pjesë të aktakuzës do të mbulohen nga buxheti i gjykatës.

Faton Klinaku ishte akuzuar se më 29 gusht 2023 kishte kërcënuar kryeministrin Kurti përmes rrjetit social Facebook, duke shkruar se më parë do ta vriste Kurti sesa ta lejonte të largohej nga Kosova. Sipas aktakuzës, ai kishte përsëritur kërcënimin edhe më 30 gusht 2023.

Ndërkohë, procedura penale vazhdon për Nuredin Selmanin, i cili akuzohet për veprime të ngjashme kërcënuese ndaj kryeministrit Kurti, duke përfshirë postime në rrjetet sociale dhe deklarata në emisione televizive, si dhe posedim të armëve të gjata luftarake./Periskopi/

Gjykata rrëzon aktakuzën ndaj Faton Klinakut për kanosjen e Kurtit

Shpërndaje në: