Klopp për ndërhyrjen e Kompany ndaj Salah: Ishte për karton të kuq
Trajneri i Liverpool mendon që futbollisti belg ka merituar dënim më të rëndë sesa kartoni i verdhë në ndeshjen e mbrëmshme.
Liverpooli pësoi humbjen e parë sezonale nga rivali kryesor për titull në Premier Ligë, skuadra e Manchester Cityt.
I zhgënjyer për një humbje që djeg pasi një rezultat pozitiv në sfidën ndaj Manchester Cityt mbrëmjen e të enjtes mund ti kishte dhënë Liverpoolit të tij një bonus të madh në garën për titull, madje mund të kishte vrarë kampionatin.
Klopp po ashtu nuk la pa u ankuar edhe ndaj vendimit të gjyqtarit, i cili e ndëshkoi vetëm me karton të verdhë mbrojtësin Vincent Kompany i cili kishte bërë një ndërhyrje të ashpër ndaj Mohamed Salah.
“Më pëlqen shumë Vincent Kompany, por si ka mundësi që nuk u ndëshkua me të kuq? Ishte lojtari i fundit dhe bëri një ndërhyrje të gabuar”, theksoi Klopp. “Nëse do ta kishte goditur më fort, Salah do ta kishte mbyllur sezonin. Nuk është e lehtë për gjyqtarët dhe ai mund ta shikojë ndryshe atë moment nga unë”.
“Ne mund të luajmë më mirë, por duhet të pranojmë edhe se nuk mund të dominojmë gjithmonë. Me pak fat mund të kishim barazuar 2-2, që do të kishte qenë rezultati perfekt për ne”, përfundoi ai.



