Klubi i Skënderbeut: Tifozët nga Kosova e Maqedonia…

Klubi i Skënderbeut: Tifozët nga Kosova e Maqedonia…

Të papërgjegjshëm, për të hapur panik apo për qëllime që ende nuk dihen, një ditë më parë, një portal sportiv përhapi lajmin se ekipi i Skënderbeut do të ndalonte hyrjen në stadium për tifozët shqiptarë nga Kosova dhe Maqedonia, në ndeshjen ndaj Partizanit të Beogradit.

“Jo nuk është e vërtetë. Hyrja është e lirë për këdo. Shitja e biletave është e lirë. Deri tani janë shitur rreth 4 mijë bileta” – sqarojnë personat përgjegjës në klubin e Skënderbeut. Biletat kanë dalë në shitje prej disa javësh për ndeshjen që do të zhvillohet në “Elbasan Arena”, ora 21:05, të enjten. Biletat shiten në qytetin e Korçës, Tiranës dhe  Elbasanit.

Klubi korçar në bashkëpunim me homologët serbë dhe UEFA-n  vendosi që në këtë ndeshje të mos ketë prani të tifozërisë së Partizanit të Beogradit në stadium. E njëjta gjë do të ndodhë edhe për tifozët e Skënderbeut, të cilët nuk do mund të udhëtojnë drejt Beogradit në ndeshjen e kthimit.

Për shkak të historisë së marrëdhënieve mes shqiptarëve dhe serbëve, kjo ndeshje pritet të ketë vëmendje të lartë ndërkombëtare, ndërkohë që burime pranë policisë së Elbasanit vijojnë përgatitjen e planit të masave për zhvillimin normal të sfidës.

Tifozë nga Kosova dhe nga Maqedonia, ata që kanë ndjekur edhe herë të tjera Skënderbeun në ndeshjet e europiane, janë të mirëpritur dhe nuk ka asnjë panik. Këtë e thotë vetë klubi korçar dhe çdo lloj informacioni është i pasaktë.

 

Shpërndaje në: