KMDLNj: Arrestimi i arsimtarit në Prishtinë joproporcional, kërkohet rishqyrtim i menjëhershëm i masës
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar lidhur me rastin e ndodhur në shkollën “Pavarësia” në Prishtinë, ku në media është publikuar një incizim që tregon përballje fizike mes një arsimtari dhe një nxënësi.
Në reagim, KMDLNj vlerëson se bëhet fjalë për një rast që duhet të dënohet, duke theksuar se në incizim “qartë shihet një moment ku arsimtari përballet fizikisht me nxënësin”, por gjithashtu edhe “pjesa kur nxënësi e godet me këmbë arsimtarin, veprim që po ashtu duhet të sanksionohet”.
“Përsëritja e këtij incizimi shkaktoi reagim të madh publik, pas së cilës arsimtari u arrestua dhe u dërgua në mbajtje policore për 48 orë”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.
Megjithatë, kjo organizatë ngre shqetësim për mungesë informacioni lidhur me masat ndaj nxënësit të përfshirë në incident. “KMDLNj nuk ka informata nëse ndaj nxënësit është marrë ndonjë masë, qoftë nga policia apo nga shkolla”, theksohet më tej.
Sipas KMDLNj-së, masa e arrestit ndaj arsimtarit është e tepruar dhe e njëanshme. “Masën e arrestit ndaj arsimtarit e konsiderojmë si joproporcionale dhe të njëanshme, e cila duhet të rishqyrtohet menjëherë”, thuhet në reagim.
Organizata vlerëson se ky rast pasqyron gjendjen shqetësuese në shkollat e Kosovës. “Ky rast tregon qartazi gjendjen në shkollat tona, ku disiplina e nxënësve ka rënë për tokë dhe ku personeli arsimor nuk ka kushte elementare për punë, qoftë në aspektin e sigurisë apo në atë material”, thuhet në reagim.
KMDLNj nënvizon se respekti dhe bashkëpunimi mes arsimtarëve dhe nxënësve duhet të jetë i ndërsjellë, ndërsa roli i prindërve vlerësohet si vendimtar. “Problemet e shumta në arsim dëshmojnë se ky bashkëpunim qartazi mungon ose është i pamjaftueshëm”, thekson organizata.
KMDLNj kërkon angazhim më të madh institucional për përmirësimin e situatës.
“Presim që drejtoritë komunale të arsimit të rrisin bashkëpunimin me MASHT-in dhe të ndërmerren masa të nevojshme për përmirësimin e gjendjes”, thuhet në reagim.
Po ashtu, KMDLNj apelon edhe ndaj Ministrisë së Punëve të Brendshme për rritje të angazhimit në parandalimin e dukurive negative.
“Presim nga MPB-ja që të rrisë angazhimin për parandalimin e tregtisë dhe përdorimit të drogës, mbajtjes në posedim të mjeteve të dhunës dhe luftën kundër huliganizmit, sepse në të kundërtën, në vend se të merremi me parandalim, do të merremi me pasoja”, përfundon reagimi.



