Arrestohet ‘Curri’ i Mitrovicës dhe dy persona të tjerë
Policia e Kosovës ka arrestuar biznesmenin Ismet Osmanin, i njohur si ‘Curri’ nga Mitrovica, i cili është pronar i disa bastoreve, kazinove dhe hoteleve. Kjo ndodhi gjatë një bastisjeje në mëngjesin e sotëm në lagjen “Marigona” në Prishtinë.
Policia e Kosovës ka konfirmuar rastin për Periskopin, duke mos dhënë shumë detaje.
“Mund të konfirmojmë se Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, pas një hetimi të gjatë, është duke e realizuar një operacion policor i cili përfshin disa lokacione”.
Megjithatë, Periskopi merr vesh nga burimet se bashkë me Currin janë arrestuar edhe dy persona tjerë, të identifikuar si Ilir Bojku dhe Mentor Maqani.
Por, në arrati vazhdon të jetë Rrahim Hashimi, ish i akuzuari për rastin e “Sekserëve”, bashkë me Emin Beqirin, ish-shefi i krimeve ekonomike.
Mësohet se ky operacion është udhëhequr nga drejtoria e krimeve ekonomike, nga drejtori Bashkim Spahiu.
Ismet Osmani – Curri njihet si një nga njerëzit më të fuqishëm në Mitrovicë, i përfshirë edhe në “Betejën mafioze për tokën e shtetit”.
Emri i tij u lëkund edhe kohëve të fundit pasi një i ri humbi jetën nën rrënojat e hotelit ‘Adriatik’ në Mitrovicë, që është pronë e Currit./PERISKOPI/



