Kombëtarja kthehet sot në Shqipëri

Kombëtarja kthehet sot në Shqipëri

Mbrëmja e së mërkurës ishte e fundit e Kombëtares shqiptare në Francë, ku po zhvillohet Evropiani 2016 i futbollit.

Ekipi kuqezi ka mësuar fatin e tij – eliminimin, pas ndeshjes Hungari – Portugali 3:3, duke përfunduar i treti në Grupin A me tri pikë.

Kombëtarja do ta lëshojë Francën, të enjten, (sot) para orës 15:00 dhe rreth orës 17:00, ajo pritet të mbërrijë në Tiranë, ku Qeveria shqiptare ka paralajmëruar se do t’i organizojë pritje të madhe.

“Sapo u mbyll kapitulli më fantastik i futbollit shqiptar, dhe pas një eliminimi për arsye të golaverazhit, misioni kuqezi në ‘Euro 2016’ kthehet nesër (e enjte v.j.) në atdhe rreth orës 17.00. Le t’u dhurojmë heronjve tanë një festë të paharrueshme mikpritjeje, në shenjë mirënjohjeje e respekti për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm për fanellën dhe imazhin e Shqipërisë”, ka shkruar në faqen e tij në “Facebook”, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Për Shqipërinë kjo ishte paraqitja e parë në një garë të madhe dhe përfundoi mes 18 më të mirave, nga 24 ekipe që morën pjesë.

 

Shpërndaje në: