Kombëtarja shqiptare grumbullohet të enjten më 28 gusht, priten ndryshime në 11’shen startuese

Kombëtarja shqiptare grumbullohet të enjten më 28 gusht, priten ndryshime në 11’shen startuese

Në një kohë që shumë prej përfaqësueseve europiane kanë nisur të formalizojnë listat e futbollistëve të grumbulluar për kualifikueset, kombëtarja kuqezi pritet ta bëjë këtë javën e ardhshme.

Trajneri Christian Panucci ka lëvizur jo pak në këto javë për të vëzhguar ata që mendohen si kontigjent për ndeshjet kualifikuese të Botërorit 2018.

Polemikat për rastin e Taulant Xhakës pritet të marrin dhe përgjigjen zyrtare të trajnerit italian. Mesfushori ishte autor i një goli shumë të bukur në Kupën e Zvicrës me Bazelin, duke dhënë një sinjal të qartë se është në formë për të qenë në kualifikuese.

Por më shumë se përgatitja, problem për futbollistin është karakteri i tij. Nëse do të përzgjidhet nga Panucci për dy ndeshjet e radhës, atëherë ajo që shpresojnë tifozët, tejkalimi i përplasjeve, do të jetë formalizuar.

Strakosha dhe Berisha do të jenë me të gjitha gjasat në listë, por mbetet për t’u parë se kush do të mbrojë portën, talenti i Lacios që po spikat këto ditë, apo gardiani i Atalantës që ka shkëlqyer në miqësore.

Kombëtarja shqiptare e futbollit do të mblidhet në datën 28 gusht nën urdhrat e trajnerit, 4 ditë para sfidës së parë të vlefshme për kualifikueset e Botërorit.

Më 2 shtator, kuqezinjtë do të presin Lihtenshtajnin në “Elbasan Arena” dhe 3 ditë më vonë përballen me Maqedoninë në Strumicë.

Këto dy takime do të shërbejnë më shumë për trajnerin e ri që të njihet me skuadrën, por gjithashtu për të mbajtur pozicionin në FIFA.

Shqipëria ndodhet në grupin G të kualifikueseve për Botërorin 2018, e treta me 9 pikë, po aq sa Izraeli, ndërkohë që grupi kryesohet nga Italia dhe Spanja. /TCH/

 

Shpërndaje në: