Komisioni për Buxhet miraton projeksionin buxhetor për RTK`në, nga “frika” se mos po shpërndahet Kuvend
Derisa vendi është në pritje për seancën për zgjedhjen e Presidentit – meqënëse ka mbetur vetëm edhe një ditë nga skadimi i afatit – Komisioni për Buxhet është mbledhur nga orët e mëngjesit për të diskutuar për buxhetin e RTK-së.
Të pranishëm aty ishin edhe anëtarë të menaxhmentit të RTK-së.
Kryetari i Komisionit, Enver Haliti tha se njëherë ka qenë në plan që Komisioni të mblidhet nga ora 10:00, por për shkak të situatës është thirrur për më herët.
“Në situatën që ne jemi, në lidhje me çështjen e Presidentit, nuk dihet se çka do ndodhë tutje. E kemi vendos me diskutu këtë temë për shkak që mos të mbetet RTK pa buxhet, që në rastin më të keq shpërndahet Kuvendi” – tha Haliti.
“Kjo ka qenë urgjenca”- shtoi ai, pasi u pyet nga deputeti i LVV-së se pse po e diskutojnë këtë çështje sot.
U.D drejtori gjeneral i RTK-së, Hysen Hundozi, tha se kanë ardhur në Komision sepse janë ftuar.
“Na ka ardhë ftesa dhe e kemi pranuar”- tha ai.
Gjatë mbledhjes, deputeti i PDK-së, Kujtim Gashi pyeti menaxhmentin e RTK-së, se cilat janë arsyet që “dy gazetare janë larguar nga puna”.
“Pse po largohen gazetarët nga puna në RTK? Se është shqetësuese se si RTK i largon nga puna disa gazetarë?”- pyeti ai.
Kurse, Hundozi i tha se nuk janë larguar, por u ka skaduar kontrata.
“Nuk është larguar asnjë punëtor nga puna. Sa i përket dy punëtoreve, është fjala për skadim të kontratës së punës e jo ndërprerje të punës. Punëdhënësit kanë vepruar konform dispozitave”- tha ai.
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), është thellësisht i shqetësuar për vendimin e menaxhmentit të Transmetuesit Publik, RTK për të mos vazhduar kontratat e punës për dy gazetare, Hana Marteti dhe Edina Avdiu”- thuhej në reagimin e AGK-së më 15.02.2026.
Gjatë mbledhjes poashtu u diskutua se Bordi i RTK-së nuk e ka miratuar raportin e shpenzimeve të RTK-së, për shkak se nuk e ka kuorumin e nevojshëm, dhe se sipas menaxhmentit “për momentin është jofunksional”.
Nga dhjetori i 2024-tës, bordi i RTK-së është jofunksional për shkak të përfundimit të mandatit të disa prej anëtarëve, dorëheqjes të disa prej tyre dhe pamundësisë për t’u zgjedhur në Kuvendin e Kosovës për shkak të zhvillimeve politike.
Që nga ajo kohë, bordi i RTK-së në mungesë të kuorumit nuk ka mbajtur mbledhje. Sipas pikës 4 të nenit 30 të Ligjit për RTK-në kuorumi i mbledhjes së bordit të RTK-së bëhet me gjashtë anëtarë të pranishëm.
Në rast se janë më pak anëtarë, Ligji specifikon qartë se mbledhja nuk mund të zhvillohet.
Në Ligjin për RTK-në nuk parashihen situatat kur bordi mbetet jofunksional.Në kuadër të këtyre diskutimeve, projeksioni për buxhetin e RTK-së, për janar- qershor 2026, u votua në Komisionin për Buxhet me 7 vota për, asnjë kundër dhe dy abstenime. Shuma është mbi 4 milionë e 400 mijë euro.
“Po e bëj këtë herë e nuk do ta bëj më. Meqënëse RTK është në këtë situatë, do ta votojë” – tha deputeti i LVV-së, Valon Hoti.Kurse, deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku kërkoi që të kërkohet opinion ligjor nga Kuvendi para se të merret një vendim i tillë.
Kurse, deputeti i LDK-së, Besian Mustafa tha se në parim është që ta votojë raportin, por ka nevojë në ndërkohë për sqarime nga menaxhmenti i RTK-së.
Ndër të tjera, në Komisionin për Buxhet nuk ka kaluar propozimi për përfshirjen e një pike shtesë që do të obligonte ministritë të raportojnë drejtpërdrejt në këtë komision. Kërkesa ishte bërë nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).
Përndryshe, gjatë mbledhje, Komisioni ka miratuar fushëveprimin e tij, me nëntë vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Kryetari i Komisionit, Enver Haliti, tha se Komisioni është funksional dhe i përhershëm.“Komisioni në kuadër të fushëveprimit dhe të përgjegjësive shqyrton të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me buxhetin dhe financat”- tha ai.Hundozi tha se janë 680 punëtorë në RTK, që sipas tij është numri më i vogël në rajon, e poashtu edhe buxheti më i ulëti. /kallxo/



