Komunat veriore ndërpresin bashkëpunimin me KFOR-in
Serbët janë revoltuar në komandantin e KFOR-it, Giovanni Fungo, për shkak se siç thuhet në një komunikatë për medie, pavarësisht vullnetit të serbëve dhe pa paralajmërim ka shoqëruar kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, duke përfshirë edhe ministrin e FSK-së, Haki Demolli, në veri të Kosovës, shkruan sot Gazeta “Zëri”
Kryetarët e komunave veriore të Kosovës kanë thënë se përkundër bllokimit të rrugës nga serbët në Rudare të Zveçanit, Mustafa dhe Fungo kanë shkuar në Bistricë nëpërmes rrugëve alternative për të marrë pjesë në hapjen e urës, aktin e së cilës serbët e cilësojnë të politizuar.
“Vizita e Mustafës në veri ka ndodhur pa dëshirën e qytetarëve serbë. Popullit serb në veri nuk mund t’i imponohet realiteti politik nëpërmes armëve. Kjo ka qenë një manovër politike e ushtarake e KFOR-it, qëllimi i të cilët është rrënimi i procesit të normalizimit dhe mbjellja e frikës në mesin e serbëve në veri të Ibrit. Me këtë akt KFOR-i ka kaluar vijën e hollë që ndan paqeruajtësit nga okupatorët” , thuhet mes tjerash në komunikatën e kryetarëve të komunave veriore të Kosovës, Goran Rakiq (Mitrovicë e Veriut), Stevan Vulloviq (Zubin Potok), Dragan Jabllanoviq (Leposaviq) dhe Vuçina Jankoviq (Zveçan), pas takimit që kanë mbajtur në Komunën Veriore të Mitrovicës.



