Kosova dhe Shqipëria vende “pjesërisht të lira”, Adri Nurellari: Kurti e Rama s’janë të interesuar për reforma që ua kufizojnë pushtetin
Kosova dhe Shqipëria janë cilësuar sërish si vende “pjesërisht të lira” nga organizata ndërkombëtare Freedom House, me seli në Uashington, raportet e së cilës shërbejnë për të vlerësuar sa të lira dhe demokratike janë vendet në botë. Sikurse Kosova ashtu edhe Shqipëria rangohen si të tilla për vite me radhë, që nga vitet e 2000-ta.
Këto rezultate të dy vendeve i sheh si një reflektim të një problemi të thellë strukturor analisti nga Shqipëria, Adri Nurellari. Ai gjithashtu paralajmëron për pengesë direkte në rrugët e tyre të integrimit drejt BE-së.
Reformat e pjesshme të ndërmarra nga Kosova e Shqipëria, sipas Nurellarit s’janë të rastësishme. Përmes tyre, ai thotë se qeveritë e mirëmbajnë hapësirën për abuzim me pushtetin meqë përmbushja e plotë e tyre do të nënkuptonte ngushtim të saj.
“Ky nuk është thjesht stagnim, por një gjendje që në shkenca politike përkufizohet si një “ekuilibër i reformave të pjesshme””, thotë ai, ndërsa shton se “këta “fitues të tranzicionit” ndërtojnë pushtetin mbi reforma të papërfunduara dhe më pas bëjnë gjithçka për t’i ndalur ato përpara se të thellohen.”, tha Nurellari për Express.
Nurellari thotë se këto rezultate të pasqyruara në këtë raport do të ndikojnë drejtpërdrejt në rrugët përkatëse të dy vendeve drejt integrimit europian.
“Duhet kuptuar se integrimi europian nënkupton kufizim real të pushtetit përmes institucioneve të pavarura, standardeve të detyrueshme ligjore dhe mekanizmave të mbikëqyrjes nga Brukseli. Kjo përfshin forcimin e gjykatave të pavarura, respektimin e jurisprudencës evropiane dhe një kulturë konsensuale vendimmarrjeje që bie ndesh me modelet e centralizuara të pushtetit të Ramës e Kurtit”.
Për t’u ranguar në kategorinë e vende të lira, Kosova dhe Shqipëria duhet të kalojnë nga demokracia formale të fasadës e retorikës në demokraci funksionale, thotë Nurellari.
Derisa raportet e tilla nuk dëgjohen të përmenden nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalimet e tij ku promovon punën e tij me raporte që e nxjerrin mirë Kosovën ose siç thotë ai “kampione”, Nurellari thotë se duhet pranuar zhvillimet pozitive. Por, ai thotë se meritë për to kanë ndërkombëtarët që Kurti iu thoshte “dikur i ka quajtur “neokolonizatorë”, si dhe liderët para tij, që kanë kontribuar në ndërtimin e këtyre institucioneve, me të cilat ai sot mburret, por dikur tallej”.
Intervista e plotë:
Për disa vite rresht, Freedom House e radhit Kosovën dhe Shqipërinë si vende “pjesërisht të lira”. Si e shihni këtë stagnim? A e konsideroni më shumë politik?
Nurellari: Fakti që si Kosova ashtu edhe Shqipëria klasifikohen prej disa vitesh si vende “pjesërisht të lira” nga Freedom House nuk është një rastësi e përkohshme, por një reflektim i një problemi më të thellë strukturor. Këtë klasifikim e ka konfirmuar edhe raporti i radhës i institutit Varieties of Democracy (V-Dem), i cili përbën mbase studimin më prestigjioz akademik për matjen e cilësisë së demokracisë në botë. Ky nuk është thjesht stagnim, por një gjendje që në shkenca politike përkufizohet si një “ekuilibër i reformave të pjesshme”. Politologu Joel Hellman e përshkruan këtë fenomen që në vitin 1998 me teorinë “fituesit marrin gjithçka”, ku thekson se pengesa më e madhe për reformat nuk janë ata që dëmtohen prej ndryshimit, por pikërisht përfituesit e reformave të pjesshme. Këta “fitues të tranzicionit” ndërtojnë pushtetin mbi reforma të papërfunduara dhe më pas bëjnë gjithçka për t’i ndalur ato përpara se të thellohen. Sepse në momentin që reformat bëhen reale dhe institucionet forcohen, hapësira për abuzim me pushtetin ngushtohet ndjeshëm sikurse shtohen shanset për rotacione më të shpeshta.
A mendoni se do të ndikojë në rrugën e tyre integruese?
Nurellari: Sa i përket ndikimit në integrimin evropian, ky klasifikim ka rëndësi të drejtpërdrejtë. Procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian nuk është vetëm teknik, por lidhet ngushtë me cilësinë e institucioneve demokratike. Një vend që mbetet për një kohë të gjatë “pjesërisht i lirë” sinjalizon mungesë konsolidimi të sundimit të ligjit dhe të kontrollit institucional, që janë pikërisht në zemër të kritereve të Kopenhagës. Pra, po, kjo ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në ritmin dhe avancimin e procesit integrues.
Në këtë kontekst, duhet kuptuar se integrimi evropian nënkupton kufizim real të pushtetit përmes institucioneve të pavarura, standardeve të detyrueshme ligjore dhe mekanizmave të mbikëqyrjes nga Brukseli. Kjo përfshin forcimin e gjykatave të pavarura, respektimin e jurisprudencës evropiane dhe një kulturë konsensuale vendimmarrjeje që bie ndesh me modelet e centralizuara të pushtetit të Ramës e Kurtit. Pikërisht për këtë arsye, për autokratët që përfitojnë nga kontrolli i fortë mbi institucionet, integrimi i plotë evropian nuk është aspak në interesin e tyre personal.
Si mund të hiqet kjo ‘etiketa’ vend “pjesërisht i lirë”?
Nurellari: Heqja e kësaj “etikete” nuk është çështje imazhi, por përmbajtjeje. Kjo kërkon forcimin real të institucioneve: pavarësi të gjyqësorit, media të lira nga presioni politik dhe ekonomik, si dhe një parlament që ushtron kontroll efektiv mbi ekzekutivin. Me fjalë të tjera, kërkon kalimin nga demokracia formale të fasadës e retorikës në demokraci funksionale.
Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shpesh përmend indekse të ndryshme që e nxjerrin Kosovën më mirë se vendet e rajonit. Si e shihni këtë narrativë të tij?
Nurellari: Sa i përket narrativës së kryeministrit Kurti, është e vërtetë që disa indekse e vendosin Kosovën relativisht më mirë se vendet e tjera të rajonit, veçanërisht në aspektin e konkurrencës elektorale. Kjo është një zhvillim pozitiv dhe duhet njohur si i tillë. Meritë për këtë kanë partnerët ndërkombëtarë, të cilët ai dikur i ka quajtur “neokolonizatorë”, si dhe liderët para tij, që kanë kontribuar në ndërtimin e këtyre institucioneve, me të cilat ai sot mburret, por dikur tallej. Megjithatë, selektimi i indikatorëve më të favorshëm nuk duhet të zëvendësojë një analizë të plotë të sistemit. Edhe Kosova, siç tregojnë raportet ndërkombëtare, mbetet larg standardeve të një demokracie liberale të konsoliduar.



