Kosova ende pa trajner, Liga e Kosovës po stagnon – A duhet kontestuar puna e Fadil Vokrrit?

Kosova ende pa trajner, Liga e Kosovës po stagnon – A duhet kontestuar puna e Fadil Vokrrit?

Pas shkarkimit të Albert Bunjakit, Federata e Futbollit të Kosovës tha që përpjekjet për të gjetur zëvendësuesin e tij tashmë kanë nisur. Shumë mirë! Por, kaluan shumë muaj dhe ende Kombëtarja e Kosovës në futboll nuk ka trajner.

U përfolën shumë emra të njohur të futbollit evropjan, si Lothar Mathaus, Sven Goran Erikson, e madje edhe Gianni De Biasi – por deri më tash nuk ka asnjë lëvizje.

Kjo është një fazë tepër kritike për futbollistët e Kosovës, të cilët duhet të arrijnë kompaktësinë dhe pjekurinë e nevojshme që të garojnë me Kombëtaret e tjera të futbollit. Madje, tashmë dihet edhe shorti për Kupën e Kombeve – e megjithatë, asgjë e re nga Federata.

I pyetur nga Periskopi, zëdhënësi i FFK-së ishte i paqartë në lidhje me caktimin e trajnerit të ri të Kombëtares.

Milot Rashica, një ndër lojtarët kryesorë të ekipit tonë kombëtar, nënshkroi një kontratë së fundi me skuadrën e mirënjohur gjermane Werder Bremen. Ai me siguri pendohet që luan për Kosovën, e jo për Shqipërinë në këtë fazë të karrierës. Kombëtarja është e nevojshme edhe për një mori lojtarësh tjetër, shumica prej të cilëve janë shumë të rinj dhe iu duhet ngritja në karrierë.

Por, Kombëtarja nuk po arrin të gjejë trajnerin e saj. Një gjë e tillë reflekton punën joserioze të Federatës, e cila e ka lënë në një pozitë tepër të palakmueshme futbollin e Kosovës. Poashtu edhe ligën, e cila megjithëse tashmë është e njohur nga UEFA dhe FIFA, po dëshpëron me stagnimin e përgjithshëm.

Madje, edhe vetë zgjedhja e parë, ajo e Albert Bunjakit i cili ishte krejt i papërvojë – dëshmon qasjen joserioze të Federatës.

Futbolli i Kosovës nuk është në duar të mira! I gjithë rajoni ka përparuar ndjeshëm, dhe rezultatet janë mjaft të dukshme gjithandej. Dje patëm zgjedhjet për kryetar të Federatës së Futbollit të Shqipërisë – ku me gjithë përparimin e madh, u kontestua puna e deritashme e Armand Dukës.

A ka ardhur koha që të kontestohet edhe puna e Fadil Vokrrit?

 

Shpërndaje në: