Kosova kërkon gra në politikë: Kandidatet që arritën rezultate fantastike në zgjedhjet e 6 tetorit
Duket se kuotat gjinore kanë ndikuar pozitivisht që t’jua mbushin mendjen zgjedhësve në Kosovë që të votojnë për gratë si deputete dhe në vendim-marrje. Zgjedhjet e 6 tetorit do të përkujtohen si të jashtëzakonshme e historike për kauzën e barazisë gjinore dhe përfaqësimit të drejtë gjinor në politikë.
Së fundi doli edhe Lista e votave që morën kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje për deputetë ku del se rezultat shumë të mirë kanë marrë disa gra deputete. Mes tyre, më e votuara është zonja Albulena Haxhiu që mori hiç më pak se 45 mijë e 665 vota duke u renditur e treta në nivel partie, prapa Albin Kurtit dhe Glauk Konjufcës.
Rezultat të mirë në zgjedhje mori edhe Mimoza Kusari – Lila me 22 mijë e 131, Saranda Bogujevci me 18 mijë e 264, Yllza Hoti me 14 mijë e 605, Labinotë Demi Murtezi me 13 mijë e 392, Arbërie Nagavci me 10 mijë e 981, Fitore Pacolli me 10 mijë e 590, Arbëreshë Hsyeni, Fjolla Ujkani, Arta Bajralia e Tinka Kurti.
Shumica prej tyre pritet të bëhen deputete në Kuvendin e Kosovës.
Por, rezultate të mira morën edhe deputetet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës [PDK]. Elektorati i kësaj partie zgjodhi madje edhe deputete të cilat nuk ishin pjesë e PDK-së në njëzet vitet e fundit. Eliza Hoxhi doli deputetja më e votuar me 9256 vota, Besa Ismaili Ahmeti 7876 ndërsa Valdete Idrizi 6226.
Sidoqoftë, rezultatin e mirë për gratë e bëri veçanërisht kandidatura e zonjës Vjosa Osmani për kryeministre nga radhët e LDK-së. Ajo ia doli t’i fitonte mbi 162 mijë vota në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit duke mbetur prapa Albin Kurtit të Vetëvendosjes.
Nga kjo parti, rezultat të mirë kishte marrë edhe zonja Marigona Geci Lala që raportohet se mori mbi 15 mijë vota. /Periskopi



