Kosova mbyll garat me tri medalje të arta e një të argjendtë në Tarragona 2018
Ekipi Olimpik i Kosovës ka përfunduar garat në Lojërat e 18-ta Mesdhetare Tarragona 2018, të cilat do të përfundojnë sonte me ceremoninë mbyllëse.
Kosova do të kthehet me katër medalje, tri prej tyre të arta dhe një të argjendtë dhe të gjitha këto të fituara nga sporti i xhudos, falë edhe trajnerit, kampion Olimpik, Driton Kuka, si dhe kampiones Olimpike, Majlinda Kelmendi, që ishte në cilësinë e trajneres.
Distria Krasniqi (-52 kilogramë), Nora (-57 kg) e Akil Gjakova (-73 kg) fituan medaljet e arta, kurse Loriana Kuka (-78 kg) të argjendtën.
Afër medaljes ishin edhe xhudistja Laura Fazliu (-63 kg), karateistja, Adelina Rama (-61 kg), si dhe boksierët, Dielli Vranoci (-69 kg) e Violant Sylejmani ((-60 kg), të cilët humbën luftërat kryesore, që ua siguronin medaljen e bronztë, sikurse peshëngritësja, Leonora Brajshori, që doli e katërta dhe e pesta në disiplinat shtytje dhe shkëputje, kategoria -53 kg.
Nga sportistët tjerë, karateisti, Alvin Karaqi, shigjetari, Hazir Asllani dhe tenisti Granit Bajraliu, kaluan raundin e parë.
Nënkampioni ballkanik, Musa Hajdari, ishte i 13-ti nga 18 sosh në disiplinën 800 metra, kurse shenjëtari, Nexhat Sahiti, i 15-ti nga 21 pjesëmarrës në disiplinën qitje me pistoletë ajri 10 metra.
Në përgjithësi, ekipi Olimpik i Kosovës debutoi suksesshëm në shtetin e Spanjës, vend ky që nuk e njeh Pavarësinë e shtetit tonë. Vendi ynë përfundoi në pozitën 14 për nga numri i medaljeve, nga 26 shtete pjesëmarrëse.



