Kosova pa Kuvend dhe Qeveri, Cakolli: Tash jemi në situatë të paprecedentë, qytetarët nuk kanë merituar shtet në pauzë

Kosova pa Kuvend dhe Qeveri, Cakolli: Tash jemi në situatë të paprecedentë, qytetarët nuk kanë merituar shtet në pauzë

Eugen Cakolli nga Instituti Kosovar për Demokraci ka vlerësuar se vendi gjendet në një situatë të paprecedentë juridike dhe kushtetuese.

“Përfundim të turpshëm”, e quajti ai përfundimin e djeshëm, ku ndonëse ishte afati i fundit kushtetues për të konstituar Kuvendin e Kosovës, Vetëvendosje vazhdoi me praktikën ose votim të fshehtë ose hiç.

Postimi i Cakollit:

Një përfundim i turpshëm i një krize që u zvarrit me vetëdije. Kuvendi nuk u konstitua as në përpjekjen e 54-të, duke dështuar kësisoj në përmbushjen e obligimit kushtetues për t’u konstituar brenda 30 ditëve.

Barra kryesore e përgjegjësisë politike së gjithë këtij dështimi bie qartazi mbi subjektin politik që ka dalë i pari në zgjedhje dhe që kishte të drejtën për të propozuar kandidatin për kryetar Kuvendi. Por e drejta nuk mjafton kur mungon vullneti për konsensus dhe për ta çuar procesin përpara.

Nga sot, nuk do të kemi më seanca me improvizime e arbitraritet, si në sagën e mbi 100 ditëve të kaluara – një periudhë që, mbi të gjitha, shpërfaqi mungesën e përgjegjësisë politike dhe refuzimin e kompromisit si vlerë demokratike.

Tashmë jemi në një situatë të paprecedentë, me një Kuvend jofunksional e jolegjitim dhe me një qeveri në detyrë, të zgjedhur nga legjislatura e parafundit – anëtarët e së cilës nuk kanë as autoritet ligjor për vendimmarrje.

Qytetarët nuk e kanë merituar një shtet në pauzë për shkak të llogarive të ngushta partiake.

Shpërndaje në: