Kosova, Shqipëria, çështja e Gjykatës Speciale dhe Palestina – çka u tha në mbledhjen e parë të “Bordit të Paqes”?

Kosova, Shqipëria, çështja e Gjykatës Speciale dhe Palestina – çka u tha në mbledhjen e parë të “Bordit të Paqes”?

Presidenti i Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka bërë të ditur se Kosova dhe Shqipëria kanë shprehur gatishmërinë për të kontribuar me trupa në kuadër të përpjekjeve ndërkombëtare për ruajtjen e paqes në Gaza.

Deklaratat u bënë gjatë mbledhjes së parë të Bordit të Paqes, të zhvilluar më 19 shkurt në Uashington, ku morën pjesë 26 udhëheqës botërorë. Në mesin e tyre ishin edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, si dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Trump theksoi se përveç Kosovës dhe Shqipërisë, edhe vende të tjera si Egjipti dhe Jordania kanë ofruar mbështetje për krijimin e një force policore palestineze që ai e përshkroi si “shumë të besueshme”.

Gjatë fjalës së tij, presidenti amerikan falënderoi liderët për pjesëmarrjen dhe përmendi rolin e tij në ndërmjetësimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, duke përfshirë edhe afrimin mes Azerbajxhanit dhe Armenisë. Ai u ndal veçanërisht te raportet mes Kosovës dhe Serbisë.

“Po marr si shembull Kosovën dhe Serbinë. Unë e zgjidha atë. A mund të ngriheni pak në këmbë? Çfarë pune e shkëlqyer. Po shkoni mirë me njëri-tjetrin dhe kur nuk shkoni mirë, më telefononi mua dhe do ta zgjidhim”, deklaroi Trump para të pranishmëve.

Në këtë takim, Rama rikonfirmoi mbështetjen e Shqipërisë për iniciativat që synojnë stabilizimin e situatës në Gaza, duke theksuar se “viktimat më të pafajshme janë fëmijët”.

Ai ngriti gjithashtu çështjen e Gjykatës Speciale në Hagë, duke iu referuar kërkesës për dënime të gjata ndaj ish-komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kryeministri shqiptar e cilësoi procesin si të dështuar dhe i bëri thirrje presidentit amerikan për angazhim.

“Për hir të Zotit, z. President, le të bëjmë diçka përpara se, siç thoni ju, gjëra shumë të këqija të mund të ndodhin sërish”, u shpreh Rama.

Në përmbyllje të mbledhjes, Trump zhvilloi takime të ndara me liderët pjesëmarrës, përfshirë Ramën dhe Osmanin, me të cilët bisedoi për disa minuta.

Gjatë forumit u bë e ditur se SHBA do të kontribuojnë me 10 miliardë dollarë për Bordin e Paqes, ndërsa vendet e tjera anëtare kanë premtuar rreth 7 miliardë dollarë, si dhe angazhime konkrete me trupa dhe forca policore për misionin e stabilizimit në Gaza.

Osmani e konfirmon se u bisedua me Trumpin për krerët e UÇK’së në Hagë: Morëm garanca të fuqishme

Shpërndaje në: