Kozniku i emocionuar para ndeshjes Kosovë-Kroaci

Kozniku i emocionuar para ndeshjes Kosovë-Kroaci

Ai arriti të shndërrohet në një legjendë duke u bërë shqiptari i parë që merrte pjesë në një Kampionat Botëror, duke u paraqitur në ‘Francë 98’ me Kroacinë.

Kozniku shprehet i emocionuar teksa flet për përballjen e nesërme ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë, ndeshje kjo e cila do të zhvillohet në kuadër të kualifikimeve për Botërorin 2018.

“Kosovën dhe Kroacinë i dua. U linda në Kosovë, u formova në Kroaci, duke luajtur me Hajdukun, Dinamon dhe Përfaqësuesen e Kroacisë, ku e arritëm vendin e tretë në Kampionatin Botëror ‘Francë 98’. Jam respektuar si i vetmi shqiptar në Kampionatin Botëror. Nesër është një ditë e madhe pasi që e kam pritur dhe ëndërruar gjatë këtë ditë”, rrëfehet ish-sulmuesi i lindur në Gjakovë.

Tutje, ai flet edhe për favoritët në takimin që luhet në ‘Loro Boriçi’. “Nga ana sportive, Kroacia është favorite. Kosova është në ndërtim e sipër dhe duke e formuar ekipin. Po punohet mirë pasi që u arrit një pikë e madhe me Finlandën. Nëse humb Kosova, atëherë humb prej një ekipi që është ndër 10-të më të mirat në botë. Nesër fiton futbolli. Duhet falënderuar Kroacinë dhe miqtë e mi, Federatën e Kroacisë në krye me Davor Shukerin, falënderojë edhe Zvonimir Bobanin në FIFA dhe shtetin kroat që e ndihmuan Kosovën time. Nuk jam i ngarkuar me rezultat, dëshirojë dhe uroj që t’i presim miqtë tanë kroat si është më së miri. Nesër le të fiton më i mirë”, përfundoi legjenda e futbollit shqiptar, Ardian Kozniku.

Shpërndaje në: