KQZ nuk ka planifikuar t’i paguajë punëtorët teknikë të shkollave që angazhohen në zgjedhjet lokale

KQZ nuk ka planifikuar t’i paguajë punëtorët teknikë të shkollave që angazhohen në zgjedhjet lokale

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk ka planifikuar t’i paguajë punëtorët teknikë të shkollave që do të angazhohen në ditën e zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 12.10.2025.

Lajmin e kanë konfirmuar nga KQZ, por të njëjtit nuk e kanë bërë të ditur arsyetimin e këtij vendimi.

Ata madje e konfirmuan se herave të kaluara KQZ i ka paguar punëtorët teknikë të shkollave për angazhimin e tyre në ditën e zgjedhjeve.

KALLXO.com ka pranuar një raportim në Lipjan, në të cilin thuhej se KQZ i ka angazhuar për ditën e zgjedhjeve vetëm drejtorët e shkollave, si menaxherë të qendrave të votimit. E qendrat e votimit në shumicën e komunave janë në shkolla.Rasim Hasani, drejtor i Arsimit në Lipjan tha se  kanë pranuar një shkresë nga KQZ më 10.10.2025, në të cilën sipas tij, KQZ ka kërkuar zgjidhje nga komunat për pagesën e punëtorëve teknikë që angazhohen në ditën e zgjedhjeve.

Sipas Hasanit, herave të kaluara në qendrat e votimit në shkolla përveç drejtorit të shkollës, të paktën ka qenë i angazhuar edhe një punëtor teknik për pastrim dhe ndezjen e ngrohjes qendrore.

“Na si Komunë, nuk mund ta lëmë me dështu procesin [zgjedhor]. Ne i kemi angazhuar puntorët teknikë edhe duhet m’i pagu diqysh… Ka shkolla që edhe ata koxha gjatë iu duhet me punu, duhet me ardhë në ora 04:00 me ndezë nxemjen [e shkollës], megjithatë mëngjesi është ftohtë edhe duhet me qëndru deri vonë, së paku dy ndërrime punë, 15 orë” – tha Hasani për KALLXO.com më 11.10.2025.Edhe Afrim Llabjani, drejtori i Arsimit në Ferizaj tha se në orët e vona të mesditës, më 10.10.2025, e kanë pranuar njoftimin e njëjtë nga KQZ.

Për Llabjanin kjo situatë nuk do të jetë e lehtë dhe tha se u ka sjellur telashe.“KQZ-ja i ka pagu deri këto zgjedhje, këto zgjedhje e kanë lëshu këto qasje dhe me të thanë të drejtën na kanë sjellë pak telashe në këtë drejtim, pak kokëçarje… Kam qenë në kontakt me KKZ-në [Komisionin Komunal të Zgjedhjeve] këtu në Ferizaj, po as ata KKZ-ja nuk e ka ditë se si do të ndodhë” – tha Llabjani.

Llabjani tha se e kanë përcjellur qarkoren që ua ka dërguar KQZ-ja te të gjithë drejtorët e shkollave në Ferizaj.“Kemi kërkuar nga drejtorët e shkollave që së paku nga një punëtor teknik të jetë në vendin e punës gjatë tërë ditës, nëse munden me punu me ndërrime. Përndryshe, ne ua kemi bo me dije që qendrat e votimit duhet të jenë të hapura ashtu siç kërkohet” – shtoi ai më 11.10.2025.

Për pagesën e punëtorëve teknikë që do të angazhohen në ditën e zgjedhjeve në Ferizaj, Llabjani tha se “nuk ka me qenë e lehtë m’u ba kjo pagesë, sinqerisht po them. Nuk kemi asnjë informacion nga shkollat, apo një shqetësim të drejtorëve të shkollave që dikush ka refuzu mos me dalë [në ditën e zgjedhjeve].

”Të dielën, më 12.10.2025 do të mbahen zgjedhjet lokale në Kosovë. Nga ora 07:00 qytetarët do të kenë mundësinë të votojnë për kryetarë të komunave dhe për përfaqësuesit e tyre në kuvendet komunale.

Në garë për nivelin lokal janë 93 subjekte politike: 32 parti, 2 koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur, të gjitha të certifikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).Numri i përgjithshëm i kandidatëve që përfaqësojnë këto subjekte politike është 5,626, prej të cilëve 206 kandidatë për kryetarë të komunave dhe 5,420 për anëtarë të kuvendeve komunale.

Lëvizja Vetëvendosje ka numrin 105; 191 Partia Demokratike e Kosovës; 113 Lidhja Demokratike e Kosovës; 174 Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës; 186 NISMA Socialdemokrate; 170 Lista Serbe; 103 Alternativa; 118 Partia Guxo; 149 Partia Socialdemokrate.

Shpërndaje në: