KQZ: Para certifikimit do të verifikohen 1,181 kandidatët për deputetë
Derisa dje të gjitha partitë politike kanë dorëzuar listat e tyre me emrat e kandidatëve për deputetë, të cilat tani do t’i nënshtrohen një verifikimi nëse ka ndonjë të dënuar për vepra të ndryshme penale, shkruan Periskopi.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha se listat do të dotëzohen në Këshillin Gjyqësor të Kosovës.
“Në përmbushje të detyrimeve ligjore lidhur me përshtatshmërinë/aftësinë e kandidatëve për t’u certifikuar, KQZ, nëpërmjet Zyrës, do të dorëzojë në disa institucione kërkesat e veçanta së bashku me listën e kandidatëve që duan të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhje, me qëllim të verifikimit të tyre nëse janë në përputhje me nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Këshilli Gjyqësor i Kosovës është njëri prej institucioneve që KQZ-ja do të kërkojë verifikim të kandidatëve. Në nenin 30 të ligjit për zgjedhje të përgjithshme, theksohet se kandidat nuk mund të jetë një person nëse “është dënuar në 3 vitet e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv”. Prandaj, me qëllim të zbatimit të këtij përcaktimi ligjor, KQZ do të kërkojë nga KGjK-ja që të verifikojë listën e kandidatëve nëse ndonjëri prej tyre nuk është në përputhje me këtë kufizim ligjor”, tha Elezi.
Elezi bëri të ditur se dje në mesnatë është përmbyllur afati për subjektet politike për dorëzimin online të listave të tyre me emrat e kandidatëve për deputetë.
“Të dielën në mesnatë është përmbyllur afati për subjektet politike për dorëzimin online të listave të tyre me emrat e kandidatëve për deputetë, për t’u certifikuar për pjesëmarrje në në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës”, tha Elezi.
“Gjatë periudhës 14-ditore (24 nëntor – 7 dhjetor 2025, 23:59) 24 subjektet politike kanë dorëzuar listat me emrat e tyre kandidatëve për deputetë. Pothuajse të gjitha subjektet politike kanë dorëzuar listat gjatë ditës së fundit të afatit. Numri i përgjithshëm i kandidatëve që përfaqësojnë këto subjekte politike është 1,181 kandidatë”, tha Elezi.



