Krasniqi ia “mbyll derën” VV’së për koalicion: Me neve s’mundet, le ta bëjnë me Listën Serbe
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka komentuar situatën aktuale politike dhe bllokimin e punës së Kuvendit në emisionin Pressing.
I pyetur nëse është e mundur që Lëvizja Vetëvendosje të krijojë një shumicë parlamentare me PDK-në, Krasniqi ishte i prerë në qëndrimin e tij.
“Me Listën Serbe ndoshta, me ne nuk kanë mundësi,” deklaroi ai, duke theksuar se një bashkëpunim i tillë nuk është as në diskutim.
“As nuk e diskutojmë si opsion. Mendoj se edhe ne, edhe ata e dimë që ka një distancë të mjaftueshme që as të mos e hapim si temë,” shtoi Krasniqi.
Ai theksoi se e vetmja mundësi që i ka mbetur VV-së për të siguruar shumicën është Lista Serbe. “Nga të gjitha refuzimet që kanë marrë, vetëm ky opsion u ka mbetur,” theksoi ai, përcjell Periskopi, transmeton T7.



