Krasniqi: Prokurorët që duan ta zbardhin të vërtetën për Astritin, nuk i refuzojnë provat

Krasniqi: Prokurorët që duan ta zbardhin të vërtetën për Astritin, nuk i refuzojnë provat

Ai, në Facebook, shkruan se prokurorët që do të donin të zbardhin me të vërtetë të vërtetën për rastin Dehari nuk do të refuzonin kategorikisht konkluzionet e ekspertëve të pavarur.

Postimi i plotë:

Prokurorët që do të donin të zbardhnin sinqerisht të vërtetën, nuk do të refuzonin kategorikisht, pa ua hedhur asnjë sy, konkluzionet e ekspertëve të pavarur të caktuar nga Familja Dehari. Së paku do t’i trajtonin seriozisht ato përfundime profesionale.

Prokurorët që do të donin sinqerisht të zbulonin një rast kaq të ndjeshëm si vdekja e Astritit, do të ishin mirënjohës ndaj kujtdo që përpiqet t’u ofrojë fakte dhe analiza shtesë në lidhje me rastin.

Prokurorët që do të donin të siguronin drejtësi për Astritin, do të lejonin qasjen e ekspertëve të caktuar nga familja, në të gjitha provat që lidhen me rastin. Do të ishin transparentë. Pse do të duhej të fshihnin diçka?!

Ata prokurorë që do të bashkëndjenin me Familjen Dehari, e që do të synonin pa frikë zhvillim të hetimeve të drejta e profesionale, do të lejonin përfshirjen e hetuesve privatë të caktuar nga familja, ngase ekspertiza e tyre veç sa do t’ju ndihmonte.

Sikur t’i kishim këta prokurorë! Zaten në atë rast, vdekje makabre si kjo e Astritit, nuk do të ndodhnin në këtë vend, sepse prokurorët që vërtetë do të mbronin drejtësinë, nuk do të akuzonin e mbanin në burg të rinjt e të rejat, “mëkati” i vetëm i të cilëve është synimi për të ndërtuar një shoqëri e shtet më të mirë.

 

Shpërndaje në: