Kriptovalutat me një treg në rritje, por me rreziqe të larta

Kriptovalutat me një treg në rritje, por me rreziqe të larta

Tregu global i kriptomonedhave po shënon rritje, me një kapitalizim prej rreth 3.1 trilionë dollarë këtë janar, duke shënuar një rritje prej 15 për qind krahasuar me vitin e kaluar.

Por, sipas një sondazhi të fundit në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa ndërgjegjësimi për kriptomonedhat është i lartë, vetëm 8 për qind e të rriturve zotërojnë kriptomonedha – një shifër më e ulët se në vitin 2024.

Të dhënat tregojnë se pronarët e kriptovalutave janë kryesisht meshkuj dhe më të rinj, ndërsa Bitcoin mbetet monedha më e njohur dhe më e përdorur, me 57 për qind të investitorëve britanikë që e zotërojnë atë. Ethereum, Solana, Dogecoin, XRP dhe Cardano po rriten gjithashtu në popullaritet.

Pavarësisht rritjes së interesit, ekspertët paralajmërojnë se investimi në kriptomonedha mbetet shumë i rrezikshëm, dhe shumë britanikë ende nuk e kuptojnë plotësisht funksionimin e tyre, shkruan forbes.

Sipas sondazhit, 22 për qind e personave që nuk kanë blerë kriptovaluta thonë se nuk e kuptojnë, ndërsa 17 për qind e konsiderojnë një investim shumë të rrezikshëm.

Shumica e përdoruesve paguajnë me të ardhura të disponueshme, ndërsa një numër i vogël përdor kursimet ose kredi.

Ndërkohë, informacionin për tregun e kriptovalutave shumica e investitorëve e marrin nga forume online dhe miq/familjarë, duke nxjerrë në pah nevojën për edukim më të mirë financiar.

Ekspertët e financave këshillojnë që investitorët të veprojnë me kujdes dhe të mos investojnë më shumë se sa mund të humbasin, duke theksuar se tregu është ende i pa rregulluar dhe i paqëndrueshëm. /Telegrafi/

Shpërndaje në: