Kryeministri polak: Mbrojtja nga dronët është një përparësi për BE-në
Më shumë detaje kanë dalë nga takimi në Helsinki i udhëheqësve të krahut lindor të NATO-s, ku kryeministri i Polonisë ka folur për mbrojtjen nga dronët.
Sipas mediave të huaja, Donald Tusk tha gjatë takimit se zhvillimi i mbrojtjes kundër dronëve është bërë një përparësi në të cilën vendet e BE-së do të investojnë shumë.
“Po punojmë për momentin… në këtë mur kundër dronëve dhe po flasim për miliarda shpenzime këtu”, tha Tusk.
Planet për një mur kundër dronëve përgjatë kufijve lindorë të Evropës u përshpejtuan pas depërtimit të rreth 20 dronëve rusë në Poloni në shtator, si dhe incidenteve të tjera në Rumani, Danimarkë dhe Gjermani.
Komisioni Evropian tha se projekti do të përfshijë një rrjet sensorësh, sistemesh bllokimi dhe armësh për të mposhtur dronët. /Periskopi/



