Kryetari i OVL-UÇK-së për dëshminë e James Rubin: E ktheu procesin në binarë

Kryetari i OVL-UÇK-së për dëshminë e James Rubin: E ktheu procesin në binarë

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hysni Gucati, në emisionin “Real Talk me Maxhunin”, që transmetohet në Periskopi dhe T7, dëshminë e ish-ndihmëssekretarit amerikan të shtetit, James Rubin, në rastin e ish-presidentit Hashim Thaçi në Hagë, e ka konsideruar si kthim në binarë të procesit të gjykimit.

Gucati e vlerësoi Rubinin si vëlla dhe njeri që iu gjend Kosovës në ditët më të vështira.

“Çdo gjë që ka thënë James Rubin është e vërtetë. Ai e ka treguar vetëm të vërtetën dhe për këtë ne si organizatë e kemi falënderuar. Na ktheu prapa për 26 vite dhe tregoi se pa luftën e UÇK-së ky vend nuk do të ishte i lirë, duke iu falënderuar edhe aleatëve tanë që na kanë ndihmuar. James Rubin tregoi kush ka qenë Hashim Thaçi në Rambuje”, ka thënë Gucati.

“Mendoj se James Rubin e ka kthyer procesin në binarë”, vlerësoi Gucati, duke e konsideruar Rubinin “jo vetëm një mik, por edhe një vëlla”.

“Pavarësisht a është amerikan. Kur një njeri të gjendet në kohë të vështira, sepse ne na ra shuplakë Evropa dhe Amerika, mbetëm jetimë”, theksoi Gucati.

Gucati, duke folur për raportet e Kosovës, tha se Qeveria nuk po punon që t’i ketë raportet e mira me miqtë, duke e konsideruar jetike ndihmën në këto momente për Kosovën, kur po përballen drejtuesit e luftës me një gjykim të stërzgjatur.

“Shqipërinë nuk po e duan, jo qytetarët, por Qeveria, dhe erdhi një mik dhe na tha se ne duhet ta duam vendin tonë. James Rubin tregoi se këta djem nuk kanë qenë organizatë kriminale, sepse po të ishin, NATO dhe Amerika nuk do të bashkëpunonin. Tregoi se këta nuk janë marrë as me drogë, por kanë punuar me paratë e djersës së qytetarëve që kanë punuar jashtë vendit”, ka thënë Gucati./Periskopi/

Shpërndaje në: