Ismet Kryeziu nga IKD ka thënë se certifikimi i Listës Serpska nuk mund të bllokohet me dy vota nga VV-ja, shkruan Periskopi.
“Çfarë politike alternative mund të bëjnë partitë që nuk kanë guxim të mbrojnë integritetin e zgjedhjeve dhe të garantojnë një proces zgjedhor të drejtë e gjithëpërfshirës? Herë heshtin, herë abstenojnë, herë bëhen pjesë, duke menduar se mediat, OJQ-të dhe komuniteti ndërkombëtar, do të kujdesen kundër diskursit popullist dhe për vlerat demokratike që vetë nuk janë të gatshme t’i garantojnë”, shkroi mes tjerash Kryeziu.
Postimi i plotë:
Nuk mund të zhvillosh politika alternative, e as të jesh opsion kundër popullizmit, duke u bërë pjesë e tij.
Certifikimi i Listës Serpska nuk mund të bllokohet me dy vota nga VV-ja; ai është bllokuar sepse anëtarët e partive politike në KQZ heshtin dhe zgjedhin të bëhen pjesë e shkeljeve të standarteve zgjedhore. Frikësohen nga zhurma e dy anëtarëve të VV-së dhe llogarisin politikisht mos të humbasin ndonjë votë.
Çfarë politike alternative mund të bëjnë partitë që nuk kanë guxim të mbrojnë integritetin e zgjedhjeve dhe të garantojnë një proces zgjedhor të drejtë e gjithëpërfshirës? Herë heshtin, herë abstenojnë, herë bëhen pjesë, duke menduar se mediat, OJQ-të dhe komuniteti ndërkombëtar, do të kujdesen kundër diskursit popullist dhe për vlerat demokratike që vetë nuk janë të gatshme t’i garantojnë.