Kryeziu: KQZ-ja të flasë si autoritet kushtetues, s’mund të garantojë zgjedhjet një biznes privat
Ismet Kryeziu nga Demokracia në Veprim ka drejtuar kritika në adresë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve pas zhvillimeve të fundit me votat në Mitrovicë dhe Gjakovë.
Reagimi i tij erdhi pas sqarimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për kompaninë sllovene “Cetis” që ka shtypur fletëvotimet për balotazhin e së dielës, për të cilat u tha se kishin gabime.
Kryeziui përmes një postimi në Facebook ka kërkuar që KQZ-ja të veprojë si autoritet kushtetues me transparencë dhe përgjegjësi publike.
“KQZ-ja duhet të flasë si autoritet kushtetues, me transparencë dhe përgjegjësi publike, e jo përmes komunikatave dhe njoftimeve që synojnë ta arsyetojnë vetveten dhe të transferojnë përgjegjësinë institucionale dhe besimin qytetar te një kompani private”.
Është i papranueshëm pretendimi se një biznes privat mund të garantojë besimin në procesin zgjedhor. Kjo përbën një gabim të rëndë institucional, rritë mosbesimin në proces dhe tregon mungesë serioze profesionalizmi”.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot shpërndau sqarimin që ka lëshuar kompania sllovene “Cetis” që ka printuar fletëvotimet.
Ndërkaq, Prokuroria Themelore në Mitrovicë njoftoi se ka urdhëruar KKZ-në që të rifillojë procesi i numërimit të fletëvotimeve në Mitrovicën e Jugut, process ky që nis në orën 16:00.



