Kryeziu: Veprimet e përfaqësuesve të VV-së në KQZ s’janë patriotike, janë veprime politike
Ismet Kryeziu, drejtor ekzekutiv i KDI-së, në emisionin “Real Talk me Maxhunin”, që transmetohet në Periskopi dhe T7, ka komentuar veprimet e anëtarëve të Vetëvendosjes në KQZ që po kërkojnë moscertifikimin e Listës Serbe, që t’i pamundësohet pjesëmarrja në zgjedhje.
Kryeziu ka thënë se veprimet e anëtarëve të Vetëvendosjes s’janë aspak patriotike, siç po pretendojnë, por për efekt elektoral.
“Medoj se këto nuk janë veprime patriotike, përkundrazi këto janë veprime politike për të prodhuar reagim të masës së caktuar të elektoratit të caktuar, madje edhe jo të gjithë elektoratit të vet që e ka Vetëvendosje. Janë reagime që nuk kanë kurrfarë efekti përpos debateve të cilat nxitën. Është hera e katërt që po ndodhë i njëjti proces, dhe procesi është duke shkuar në Panelin Zgjedhor”, ka thënë ai.
Për Kryeziun madje veprimet e KQZ janë në kundërshtim me ligjin, sepse partitë politike certifikohen në momentin që i kryejnë të gjitha obligimet ligjore.
“Është veprim në kundërshtim me ligjin, sepse subjektet politike bazuar në ligj janë të certifikuara momentin e regjistrimit dhe subjektet politike janë të obliguara ta njoftojnë KQZ-në nëse nuk dëshirojnë të marrin pjesë në zgjedhje. Kjo nënkupton që të gjitha subjektet politike që janë të regjistruara dhe përmbushin rregullat janë të certifikuara dhe ky votimi për certifikim nga anëtarët është politik dhe s’ka nevojë të ndodhë fare”, ka thënë Kryeziu./Periskopi/



