Kryeziu: VV e përdori Listën Serbe për bllokadë politike, sot bëri kompromis për pushtet

Kryeziu: VV e përdori Listën Serbe për bllokadë politike, sot bëri kompromis për pushtet

Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu, ka kritikuar ashpër qasjen e Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me proceset paszgjedhore dhe qëndrimet ndaj Listës Serbe.

Sipas tij, për muaj të tërë VV ka bllokuar dhe vonuar certifikimin e rezultateve dhe konstituimin e Kuvendit, duke sulmuar dhe etiketuar publikisht këdo që nuk pajtohej me narrativën e saj politike.

Kryeziu vlerëson se kjo sjellje ka qenë në kundërshtim me Kushtetutën dhe rendin demokratik, ndërsa është përdorur për interesa të ngushta politike dhe mobilizim populist.

Ai thekson se tani, pa asnjë kusht dhe pa sqarim publik, e njëjta parti ka pranuar të votojë kandidatin/en e Listës Serbe në paketë me kandidatët e partive të tjera, sipas praktikës së rregullt kushtetuese që më herët e kundërshtonte.

Sipas Kryeziut, ky ndryshim tregon mungesë parimesh dhe dëshmon se nacionalizmi përdoret vetëm kur i konvenon pushtetit. “Demagogjia politike nuk është patriotizëm, por dëm i drejtpërdrejtë për shtetin dhe për patriotizmin kushtetues”, ka theksuar ai.

Postimi i plotë:

VV për muaj të tërë e bllokoi dhe vonoi certifikimin e rezultateve dhe konstituimin e Kuvendit, duke sulmuar, etiketuar dhe linçuar publikisht këdo që kundërshtonte narrativën e tyre populiste dhe demagogjike kundër Listës Serbe, në kundërshtim të plotë me Kushtetutën.
Këtë e bëri për interesa politike të momentit, ndërsa sot, pa asnjë kusht, ka pranuar të votojë kandidatin/en e Listës Serbe në paketë me kandidatët e partive të tjera – pikërisht ashtu siç ka funksionuar kjo praktikë në bazë të rendit kushtetues dhe vlerave demokratike që i kundërshtoi dhe i mohoi.
Kjo nuk është politikë, por populizëm në emër të nacionalizmit kur i konvenon, dhe kompromis “parimor” kur i duhet pushteti. Demagogjia politike nuk është patriotizëm, është dëm i drejtpërdrejtë për shtetin dhe për patriotizmin kushtetues, si vlera më e lartë politike dhe qytetare.

Shpërndaje në: