Kujt i konvenon më së shumti kandidatura e Lutfi Hazirit për kryeministër nga LDK-ja?
LDK është duke punuar intensivisht që të përcaktohet për kandidatin që do ta prezantojë në garën zgjedhore të 11 qershorit për kryeministër të Kosovës.
Mediat u morrën shumë me këtë punë, megjithatë sipas të gjitha indikacioneve në këtë garë për LDK-në do të përzgjidhet nënkryetari i partisë dhe kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri.
U përmend Lumir Abdixhiku, Avdullah Hoti, Vjosa Osmani e fytyra të tjera si figura potenciale që mund të përcaktohen nga partia, por indikacionet e strukturave udhëheqëse të LDK-së, japin të kuptohet se ai do të jetë Lutfi Haziri.
Për ta konfirmuar edhe më shumë këtë gjë, anëtari i Kryesisë së LDK-së, Arban Abrashi tha se Lutfi Haziri përmbush të gjitha kushtet e LDK-së për ta përfaqësuar partinë në këtë garë.
Vlen të theksohet se ky kandidat i LDK-së mbështetet në vazhdimësi edhe nga media të afërta me PDK-në.
Por, kush është Lutfi Haziri?
Haziri është një ndër figurat kyqe të LDK-së, aktualisht nënkryetar, por i njohur edhe si bashkëpunëtor i ngushtë i krerëve të PDK-së.
Haziri në shoqëri të Hashim Thaçit dhe Petrit Selimit
Ai është parë në shoqëri të ish-kryetarit të PDK-së Hashim Thaçi disa herë, e ka ndarë kohë edhe për Kadri Veselin dhe Elmi Reçicën, si dhe zyrtarë të tjerë të kësaj partie.
Po ashtu, Lutfi Haziri është “kumbara” i koalicionit të parë PDK-LDK në vitin 2008, të cilin Haziri e quante “Koalicioni i Guns N’ Roses”.
Marrë parasysh afërsinë, bashkëpunimin dhe miqësinë e Hazirit me PDK-në dhe të gjithë ato “lumenjë alkooli” që Haziri i ka konsumuar bashkë me krerë të PDK-së, që tash mund të konstatohet se koalicioni i ardhshëm PDK-LDK është punë e kryer. /Periksopi/




