Kujtohet Hashim Thaçi si udhëheqës i delegacionit të Kosovës në Rambuje, që solli bombardimet kundër Serbisë (Video)

Kujtohet Hashim Thaçi si udhëheqës i delegacionit të Kosovës në Rambuje, që solli bombardimet kundër Serbisë (Video)

Fondacioni “Përkrahje për Mbrojtjen Juridike të Hashim Thaçit”, përmes një videoje dhe postimi në llogarinë në rrjetet sociale, sot në 22 vjetorin e nisjes së punimeve të Konferencës së Rambujesë, ka kujtuar kohën kur delegacioni i Kosovës udhëhiqej nga Hashim Thaçi si lider politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pjesëmarrja e delegacionit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në kuadër të delegacionit të Kosovës ishte cilësuar gjithnjë si tregues i pjekurisë së lidershipit të saj, që çështjen e Kosovës e ndërkombëtarizoi në shkallën më lartë.

“Më 6 shkurt 1999, për herë të parë në histori, Kosova ishte e pranishme në një konferencë ndërkombëtare, të organizuar nga shtetet e Grupit të Kontaktit në Rambuje të Francës. Në krye të delegacionit të Kosovës, që përbënte forcat themelore politike, ishte përfaqësuesi politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi.
Konferenca e organizuar nga shtetet e Grupit të Kontaktit u finalizua në Paris, më 18 mars 1999, me nënshkrimin e dokumentit nga delegacioni i Kosovës dhe refuzimin nga ana e delegacionit të Beogradit. Ky refuzim nga delegacioni i shtetit serb bëri që Bashkësia Ndërkombëtare përmes aleancës më të fuqishme ushtarake të botës, NATO-s, të fillonte bombardimet e pozicioneve ushtarake dhe policore të forcave serbe.
Pjesëmarrja e delegacionit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në kuadër të delegacionit të Kosovës ishte tregues i pjekurisë së lidershipit të saj, që çështjen e Kosovës e ndërkombëtarizoi në shkallën më lartë.
Pas periudhës 78 ditore të bombardimeve, më 9 maj 1999, në Kumanovë u nënshkrua marrëveshja e kapitullimit të Jugosllavisë së mbetur të Sllobodan Millosheviqit. Më 12 qershor, Kosova shënon ditën e çlirimit dhe fillimin e rrugës drejt pavarësisë”, thuhet në postimin e Fondacionit në Përkrahje të Thaçit.

Shpërndaje në: