Kur bëhet fjalë për kompaninë e dostit, Nexhat Krasniqi e bënë Ligjin vet

Kur bëhet fjalë për kompaninë e dostit, Nexhat Krasniqi e bënë Ligjin vet

Nexhat Krasniqi, shefi i prokurimit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës nuk po e respekton Ligjin e Prokurimit Publik, për çka është i thirrur ta zbatojë. Përpos që tender i ka dhënë dostit të vet, nuk i ka respektuar afatet e caktuara ligjore karshi kompanive që janë eliminuar nga gara. Përderisa përmes ankesave kërkonin sqarime për mos përzgjedhje, nuk morën asnjë përgjigje të vetme…

Për tenderin e mirëmbajtes së autostradave në Kosovë, prokurimi i MMPHI-së nxori fituese kompaninë “2A Group” , në pronësi të biznesmenit Valon Ademi, i cili rastisë të jetë  jaran i shefit të prokurimit, Nexhat Krasniqi.

Tenderi për të cilin po flasim ishte  i ndarë në katër pjesë, ndërkaq për kontratë ishin rekomanduar edhe kompani të tjera. 18 garues kishin marrë pjesë për këto katër pjesë. Mirëpo pas shpalljes së fituesve, disa nga ato menjëherë ishin ankuar në ministri, nën pretendimin se janë eliminuar pa të drejtë, ose se kompanitë e rekomanduara nuk i kanë plotësuar kushtet e kërkuara.

Periskopi ka mësuar se zyra e prokurimit që udhëhiqet nga zotëri Nexhat nuk po u kthen përgjigje kompanive në afatin e caktuar ligjor. Lidhur më këtë,  kemi kontaktuar edhe ministrinë, por ky institucion ka vendosur që edhe në këtë rast të mos japë përgjigje kur bëhet fjalë për pyetjet me konotacion kritik në drejtim të tyre.

Nexhat Krasniqi e shkel veç një Nen të Ligjit

Referuar të dhënave që janë të publikuara në E-prokurim, më datë 11 prill, prokurimi ministrisë kishte hapur tender me validitet për 3 vjet për mirëmbajtjen e dy autostradave në Kosovë. Ndërkaq, më 14 prill janë hapur ofertat, ku kanë rezultuar 18 garues, shumica prej të cilëve kanë garuar për të gjitha pjesët.

Më 24 prill, ministria ka bërë “Njoftim mbi vendimin e Autoritetit kontraktues”. Kjo nënkupton që është bërë shpallja e kompanive të rekomanduara për kontratë, të cilat kanë qenë:

Lot 1: Grupi i kompanive me lider “Lika Company” SHPK & “Lika Trade”.

Lot 2: Grupi i kompanive me lider  kompaninë “2A Group” SHPK & NNT  “ABC” SHPK & “B CORP” SHPK & “JUBICA” SHPK.

Lot 3. Grupi i kompanive, me lider kompaninë “Damastion Project” Shpk & “Via” & “Company Eskavatori”.

Lot 4. Grupi i kompanive me lider kompaninë “Arbotec” SHPK & “Arbotec GMBH” –Dega në Kosovë.

Kur kompanitë nuk pajtohet me vendimin e ministrisë, kanë të drejtë të bëjnë kërkesë për rishqyrtim brenda afateve kohore, dhe natyrisht brenda afateve kohore pritet që ministria t’u kthejë përgjigje.

Periskopi ka mësuar se disa kompani kanë qenë të pakënaqura me vendimin e ministrisë për të gjitha pjesët e tenderit, nga edhe kanë shtruar kërkesë për rishqyrtim (ankesë).

Dorëzimi i kërkesës për rishkrim (afati i fundit) ka qenë data 27. 04. 2022. Po më datë 27 prill, ministria e ka pezulluar vendimin  për t’u dhënë përgjigje kompanive.

Sipas Ligjit të Prokurimit Publik, nga data 28 fillon të rrjedhë afati prej 3 ditëve për vendosje.

Autoriteti Kontraktues, konform nenit 108/A, paragarfi 6 të LPP, mund të zgjasë afatin për rishqyrtim jo më shumë se 3 ditë të tjera, duke njoftuar paraprakisht kompanitë ankuese për zgjatje të afatit.

”Autoriteti kontraktues do të shqyrtojë kërkesat brenda tre ditë pune, nga data e dorëzimit të aplikimit ose kur është e zbatueshme, nga data e marrjes së informatave shtesë dhe dokumenteve të parashikuara në paragrafin pesë të këtij neni. Afati i përmendur më lartë, në raste specifike të justifikuara mund të zgjatet për jo më shumë se tre ditë shtesë dhe ankuesi do të informohet për këtë”, thuhet decitivisht në neni 108 legjislacionit sekondarë të LPP-së.

Deri në këtë moment, ministria nuk e ka ngarkuar asnjë dokument në E-prokurim, që tregon se nuk u është kthyer përgjigje kompanive në ankesat e tyre.

Siç shihet, afati prej 6 ditëve ka përfunduar më 03.5/2022.

Duke mos kthyer përgjigje në afatin kohor, ministria pos që po e shkelë ligjin, po përdorë standarde të dyfishta. Nëse ndonjëra nga kompanitë do të ankohej jashtë fatit ligjor, kërkesa e tyre do të hidhej poshtë menjëherë. Ka pasur disa raste në të kaluarën kur ministria ka hedhur menjëherë poshtë kërkesat për rishqyrtim duke i quajtur të jashtafatshme, ani pse disa nga to kanë pasur çmime më të lira se kompanitë e rekomanduara për kontratë, dhe po të shqyrtohej kërkesa e tyre do të mund të korrigjohej vendimi i ministrisë për dhënie të kontratës dhe të ruhej buxheti për disa mijëra euro.

Periskopi, ditë më parë ka raportuar  dy herë lidhur me ngjarjet që po zhvillohet për realizmin e këtij tenderi.

Njëri raportim flet se si, shefi i prokurimit, Nexhat Krasniqi nuk u ka lejuar qasje në ofertën financiare të kompanisë “2A group” e cila është rekomanduar për kontratë për lot 2.

Tjetri raportim ka të bëjë me  kontratën e re, ndonëse  kompania në fjalë nuk po i kryen punët në një pjesë të Kosovës, ngase kishte ofertuar me çmim mashtrues. /Mentor Buzhala -PERISKOPI/

Shpërndaje në: