Kurti e VV-ja me politikë populliste: Nuk përfillin kërkesën e Amerikës – votojnë kundër certifikimit të Listës Serbe
“MOS GABO ta përjashtosh Listën Serbe nga zgjedhjet lokale”, paralajmëruan ashpër sot ShBA-të, kryeministrin në detyrë Albin Kurti.. Ky i fundi si në shumë raste në të kaluaren nuk e përfilli urdhërin e shtetit mik, por “porositi”anëtarët e partisë në KQZ që të votojnë kundër certifikimit të Listës Serbe. Përveç që votuan kundër, Sami Kurteshi e Alban Krasniqi nuk harruan t’i sulmonin mediat në Kosovë dhe të shprehnin pretendime pa fakte, shkruan Periskopi.
Çka e urdhëruan ShBA-të, Kurtin?
E ngarkuara me punë në Ambasadën Amerikane, Anu Prattipati, ka shprehur shqetësim për tendencat që ka thënë ajo se janë shfaqur me qëllimin që partive serbe t’u ndalohet pjesëmarrja në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Në një deklarim pas takimit që ka pasur me kryeministrin në detyrë Albin Kurti, ajo ka thënë se e ka bërë të qartë që është tejet e rëndësishme që serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhje.
“Me kryeministrin në detyrë kemi diskutuar për veprimet, që kuptojmë se kryeministri në detyrë dhe Lëvizja Vetëvendosje po shqyrtojnë t’i përjashtojnë disa nga partitë politike nga pjesëmarrja në zgjedhjet lokale të ardhshme. Të jemi të qartë, besojmë që të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të kenë mundësinë e plotë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre të zgjedhur. Është shumë me rëndësi që serbët e Kosovës të përfshihen në këtë proces dhe jemi të shqetësuar për çdo tentim që limiton zgjedhjet e tyre. Ia kam bërë të qartë këto pika kryeministrit në detyrë dhe kam nënvizuar vëmendjen e SHBA-së për këtë çështje”, ka thënë Prattipati.
Ndërsa njohësi i politikës, Petri Zogaj ka vlerësuar se nëse Kurti tenton ta pengoj certifikimin e Listës Serbe, atëherë Kosova do të futet nën sanksione të ShBA-s, e Kurti do të jetë i pari zyrtar në atë listë, ngjashëm sikur me Dodik në Bosnje.
“Karta e fundit qe i ka mbetur liderit suprem eshte tentimi per perjashtimin e Listes Serbe nga zgjedhjet lokale ne vjeshte. Per kete arsye po e shohim paralajmerimin e ashper te Ambasades se ShBA-s ne Prishtine. I izoluar si kurre me pare-brenda e jashte Kosoves, Kurti do te tentoje qe te beje manovra tjera “nacionaliste” per te mirembajtur nje strukture te militanteve e qe do t’i sherbenin per zgjedhjet e ardhshme lokale e parlamentare. Nese do te kete nje tentim te tille, pra pengimin e Listes Serbe per zgjedhjet e ardhshme, pa asnje dyshim, Kosova do te futet nen sanksione te ShBA-s, e Kurti do te jete i pari zyrtar ne ate liste, ngjashem sikur me Dodik ne Bosnje. Ky do te ishte sherbimi me i madh qe Qeveria e Kosoves do t’i bente Serbise dhe agjendes se saj kunder Kosoves”, ka shkruar Zogaj mes tjerash.
Pas moscertifikimit të Listës serbe ka reaguar edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami duke thënë “Ju jeni të njëjtit që Radojçiqit i keni krijuar korridor dhe ka ikur në pikë të ditës, nën vëzhgimin e kamerave, dhe nuk e keni shpallur Listën Serbe organizatë terroriste”
“Hajnitë,
dështimet,
tenderët njëburimorë,
nepotizmi,
kapja e institucioneve dhe
lidhjet me mafinë energjetike,
NUK mund t’i mbuloni me patriotizëm të rremë, as me Serbinë, as me urat që po i ndërtoni dhe as me Listën Serbe.
Ju jeni të njëjtit që Radojçiqit i keni krijuar korridor dhe ka ikur në pikë të ditës, nën vëzhgimin e kamerave, dhe nuk e keni shpallur Listën Serbe organizatë terroriste as pasi ata e kanë marrë përgjegjësinë për sulmin terrorist në Banjskë.
Sot po i luani patriotët – hipokrita!”, shkroi Bajrami mes tjerash.



