Kurti në Gjykatë, Bajrami: Deputeti Kurti po tregon qartë se ligji është i drejtë vetëm kur i shërben interesave të tij personale
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, sot është paraqitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë ku është mbajtur shqyrtimi fillestar në çështjen gjyqësore ndaj Faton Klinakut dhe Nuredin Selmani të cilët akuzohen për kanosje ndaj tij.
Mirëpo, për këtë ka reaguar Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykemte Bajrami, raporton Periskopi.
Bajrmani përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka thënë se kur Gjykata Kushtetuese, gjykatat e rregullta ose Prokuroria vendosin në favor të Kurtit dhe Vetëvendosjes, ato menjëherë lavdërohen si mbrojtëse të ligjshmërisë dhe rendit në Republikë.
“Kur po të njëjtat institucione nxjerrin vendime që cenojnë interesat e Kurtit dhe VV-së, menjëherë shpallen të korruptuara, të politizuara dhe të manipuluara, madje edhe si vegla të Serbisë”, ka shkruar ajo.
Sipas saj, Prokuroria konsiderohet e pavarur dhe e drejtë vetëm kur merret me rastin “Pronto”.
“Ndërsa kur trajton aferën “Zdravo” të dyshes Kusari-Radojiçiq, diskreditimi është i menjëhershëm”, ka shkruar ajo.
Bajrami ka thënë Kurti tregon se ligji është i drejtë vetëm kur i shërben interesave të tij personale.
“Sot, deputeti Kurti u shfaq në gjykatë si viktimë, në një rast të kanosjes. Veç paramendoni makinerinë e Kurtit dhe VV-së dhe sa kërcënime e kanosje u kanë bërë të tjerëve! Deputeti Kurti po tregon qartë se ligji është i drejtë vetëm kur i shërben interesave të tij personale.Ai, që mban jashtëligjshëm pozitën e Kryeministrit në detyrë, e sheh drejtësinë si tavolinë suedeze: merr çka i duhet dhe refuzon çka nuk i pëlqen”, ka shkruar Bajrami./Periskopi/
Postimi i plotë:



