Kurti nga kisha protestante ungjillore: Pluralizmi fetar është pasuri

Kurti nga kisha protestante ungjillore: Pluralizmi fetar është pasuri

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka marrë pjesë në Shërbesën Qendrore të Kishës Protestante Ungjillore “Bashkësia e Popullit të Zotit” për festën e Falënderimeve.

Kurti ka thënë se “mirënjohja është kujtesë për punën, përkujdesjen dhe për bashkësinë që mban afër njëri-tjetrin dhe mëson të shihet jo vetëm jashtë vetes por edhe përtej saj”.

“Me këtë rast, ai falënderoi stafin e Kishës ‘Bashkësia e Popullit të Zotit’ dhe pastorin Artur Krasniqi për punën që po bëjnë për komunitetin, për ndihmën ndaj njerëzve në nevojë dhe për përfshirjen e tyre aktive në jetën e qytetit” – thuhet mes tjerash në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Kurti citohet të ketë thënë se bashkësia tregon se besimi nuk qëndron larg jetës publike, por ndihmon atë të jetë më e drejtë dhe njerëzore.

Ai ka shtuar se pluralizmi fetar është pasuri dhe dëshmi se përtej dallimeve, ajo që bashkon njerëzit është vullneti për të bërë mirë dhe për t’u kujdesur për njëri-tjetrin.

Bashkësitë fetare dhe qeveria kanë detyrë të shërbejnë sipas Kurtit.

“Prej latinishtes, fjala ministër, do të thotë shërbëtor, që do të thotë se zëvendësministri është zëvendës shërbëtor e kryeministri është kryeshërbëtor. Përballë sfidave të përditshme, si varfëria e pabarazia, padrejtësia dhe nevoja për përmirësim të kushteve të jetesës, secili prej nesh mban një pjesë të përgjegjësisë së përbashkët,” ka thënë Kurti.

Shpërndaje në: