Kurti: Nuk jemi të interesuar që pacientët serbë të ngelin pa spitale, ose që nxënësin serbë të ngelen pa shkolla

Kurti: Nuk jemi të interesuar që pacientët serbë të ngelin pa spitale, ose që nxënësin serbë të ngelen pa shkolla

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për mediat në lidhje me strukturat paralele të Serbisë dhe procesin e integrimit të shërbimeve për komunitetin serb.

Në një konferencë për media pas mbledhjes së qeverisë ai ka thënë se shumë struktura paralele, përfshirë ato administrative, financiare dhe të sigurisë, janë “shpartalluar” dhe se shumë zyrtarë kanë ikur në Serbi, ndërsa disa janë shuar brenda Kosovës.

“Strukturat e tjera ilegale paralele të Serbisë, ato administrative, financiare dhe të sigurisë, ato ose janë shpartalluar e zyrtarët kanë ikur në Serbi, ose janë shuar këtu në vendin tonë. Por natyrisht që kanë ngelur edukimi apo arsimimi edhe shëndetësia. Tash ne nuk jemi të interesuar që pacientët serbë të ngelin pa spitale, ose që nxënësin serbë të ngelen pa shkolla. Përkundrazi jemi të interesuar që ta vazhdojmë, por duhet të legalizohen, nuk mund të vazhdojnë në mënyrë ilegale, duhet të kemi sundim të ligjit edhe në atë aspekt. Unë jam optimist sa i përket shpejtësisë për atë shëndetësore se sa atë arsimor. Sistemi arsimor është cik më i koklavitur dhe do të na marrë më shumë kohë. Por sistemi shëndetësor unë mendoj që mund të bëhet më shpejt,” ka deklaruar Kurti.

-Advertisement-
Sipas Kurtit është e domosdoshme që shërbimet për komunitetin serb të operojnë nën ligjin e Kosovës dhe të mos vazhdojnë në mënyrë ilegale.

Kryeministri është shprehur optimist se procesi i integrimit të shërbimeve shëndetësore mund të bëhet më shpejt, ndërsa ka shprehur shqetësim për kohën që mund të kërkojë integrimi i sistemit arsimor.

Vendimet dhe qasja e Qeverisë së Kosovës për zbatimin e Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjetet kanë nxitur debate në vend.

Sipas disa kritikëve dhe partive opozitare, qeveria po “legalizon” dokumente dhe funksionimin e institucioneve të Serbisë që veprojnë në Kosovë, duke iu dhënë atyre një legjitimitet të përkohshëm në administrimin e shërbimeve për komunitetin serb.

Kritikët thonë se pranimi i dokumenteve të lëshuara nga strukturat paralele serbe dhe vendimi për t’u ofruar leje qëndrimi për 12 muaj personave që nuk kanë dokumente të Kosovës, në kuadër të zbatimit të këtyre ligjeve, mund të interpretohet si një formë legjitimimi i këtyre institucioneve, edhe pse Qeveria e paraqet këtë si një masë të përkohshme për të mos ndaluar shërbimet bazë të komunitetit serb deri në integrim të plotë.

Qeveria ka ‘sqaruar’ se këto masa janë të përkohshme dhe kanë për qëllim vetëm sigurimin e funksionimit të shërbimeve në arsim dhe shëndetësi për komunitetin serb, ndërsa synimi kryesor mbetet integrimi i plotë nën legjislacionin e Republikës së Kosovës./Periskopi

Shpërndaje në: