Kurti propozon zëvendëskryeministër me aktakuzë – Fikrim Damka rikthehet në qeveri pavarësisht hetimeve

Kurti propozon zëvendëskryeministër me aktakuzë – Fikrim Damka rikthehet në qeveri pavarësisht hetimeve

Fikrim Damka, ish-ministër i Zhvillimit Rajonal në mandatin e kaluar, është propozuar sonte nga kryeministri Albin Kurti si zëvendëskryeministri i tretë për çështje të pakicave. Propozimi ka shkaktuar reagime për shkak të aktakuzës që rëndon mbi Damkën.

Aktualisht, Damka dhe Besim Kamberaj akuzohen për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” gjatë periudhës 16 gusht 2021 – 24 mars 2022. Sipas aktakuzës, ata dyshohet se kanë tejkaluar kompetencat ligjore për të përfituar dy organizata joqeveritare, “Germin” dhe “Caritas Zviceran”, duke i shkaktuar buxhetit të Kosovës dëm prej rreth 1,040,000 euro.

Damka ka qenë një nga dy kandidatët e partisë së tij që morën ulëse në zgjedhjet e 28 dhjetorit, por pas rinumërimit humbi mandatin e deputetit. Koordinatorja Nacionale e Zgjedhjeve në Prokurorinë e Shtetit, Laura Pula, ka konfirmuar se ai duhet të intervistohet për manipulime të votave.

“Ky është i vetmi kandidat që e ka humbur mandatin e deputetit dhe pa mëdyshje duhet të intervistohet,” ka deklaruar Pula për Klan Kosova, duke shtuar se çështja mbetet nën kompetencën ekskluzive të Kryeprokurorit për të vazhduar hetimin deri në përfundim.

Propozimi i Kurtit për Damkën, pavarësisht aktakuzës dhe hetimeve në vazhdim, është parë nga shumë analistë si një rrezik për kredibilitetin e qeverisë së re dhe si mesazh i diskutueshëm për luftën kundër korrupsionit.

Shpërndaje në: