Kusari i reagon Sami Kurteshit: VV, parti e specializuar në denigrim dhe nxitje të urrejtjes ndaj gazetarëve

Kusari i reagon Sami Kurteshit: VV, parti e specializuar në denigrim dhe nxitje të urrejtjes ndaj gazetarëve

Juristja dhe ekspertja e lirisë së medias, Flutura Kusari, ka reaguar fuqishëm ndaj deklarimeve të deputetit të VV-së, Sami Kurteshi, i cili e kishte cilësuar Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës dhe mediat si “aleancë kriminale”.

Kusari e ka kundërshtuar drejtpërdrejt këtë deklaratë.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës nuk është aleancë e grupeve kriminale, por një organizatë e fuqishme, profesionale dhe me reputacion të jashtëzakonshëm ndërkombëtar në mbrojtjen e gazetarëve.”, ka shkruar Kusari.

Ajo ka reaguar edhe ndaj mënyrës se si po portretizohen gazetarët nga përfaqësues të pushtetit.

“Gazetarët nuk janë vrasës me pagesë; ata janë njerëz që e kanë për obligim t’i kërkojnë pushtetit llogari.”

Në të njëjtën deklaratë, Kusari ka mbrojtur punën e Ehat Miftarajt dhe IKD-së, duke potencuar se.

“Ehat Miftaraj dhe IKD-ja nuk e dëmtojnë vendin, por i shërbejnë atij.”

Ajo gjithashtu ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për sulme të organizuara ndaj mediave dhe aktivistëve.

“VV është një parti e specializuar në ngacmimin, denigrimin dhe nxitjen e urrejtjes ndaj aktivistëve, gazetarëve dhe mediave.”, u shpreh ajo.

Në fund, Kusari u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos bien pre e sulmeve ndaj mediave.

“I lus të gjithë ata që i përcjellin mediat të mos bien pre e strategjisë së VV-së për t’i portretizuar mediat dhe aktivistët si armiqtë e shtetit tonë.”, ka shkruar Kusari në Facebook.

Shpërndaje në: