Kush do ta pushtojë qytetin e futbollit, ‘Intelektualët’ apo ‘Skifterat’?
Të gjithë e presin me padurim derbin e “Anamoravës” ditën e nesërme në Gjilan, ku përveç lojës, vëmendje të madhe marrin edhe tifozeritë e të dy ekipeve, që duhet thënë se gjithmonë kanë qenë një shkallë mbi lojtarët, me spektaklin e treguar.
Nesër zhvillohet derbi numër 28-të kampional pas luftës ndërmjet Gjilanit dhe Dritës dhe i 33-ti në të gjitha garat.
Drita nuk ka fituar në katër derbit e fundit dhe madje as nuk e ka perjetuar avantazhin kundër Gjilanit tash e 360 minuta. Në anën tjetër, Gjilani e mposhti me rezultat minimal ndeshjen e fundit Dritën, falë golit të Perez në fundin e pjesës së parë.
Në 27 derbi të zhvilluar në kampionat, secila skuadër ka nga 9 fitore, derisa po aq ndeshje janë ndarë me barazim.
Rezultati më i thellë ndërmjet këtyre dy skuadrave mbetet ai i sezonit 2002/03, kur Drita(shpallej kampion për herë të parë), dy javë para se të përfundonte kampionati, kishte mposhtur Gjilanin 1-6. Ekipi që simpatizohet nga ‘Skifterat’ ishte paraqitur në këtë ndeshje me lojtarë juniorë, shkruan Periskopi.

Që nga kjo ndeshje e deri më tani, rivaliteti mes dy skuadrave është përshkallëzuar. Tashmë fitorja është e domosdoshme për të dyja ekipet.
Në edicionin 2010/11 derbi për herë të parë u luajt në Ligën e Parë, derisa dy përballjet u mbyllën me rezultat 0-0.
Kur jemi te rezultati 0-0 duhet theksuar se është epilogu me të cilin kanë përfunduar më së shumti derbit, gjithsej pesë herë.
Gjithashtu derbi nuk u zhvillua në 7 edicione për shkak se njëra apo tjetra skuadër ishte në një rang më të ulët të garave, raporto Periskopi.
Në Kupë, Drita është bindëse ndaj Gjilanit. Të parët kanë pesë fitore kundrejt dy të Gjilanit.
Statistikat e përgjithshme të 33 derbive të pasluftës:
Drita: 14 fitore
Barazime: 8 ndeshje
Gjilani: 11 fitore (prej tyre, dy me rezultat zyrtar)
Golaverazhi nga 33 derbi të pasluftës:
Drita: shënoi 48 gola (minus një gol i hequr me rezultat zyrtar)
Gjilani: shënoi 40 gola(prej tyre, 6 të dhëna nga rezultatet zyrtare)
Ndërkohë, këtë sezon as njëra e as tjetra nuk kanë shfaqur lojëra të bukura. Kampioni aktual gjendet në vendin e 6 me 23 pikë, ndërsa Gjilani në vendin e katërt me 27 pikë. Diferenca është shumë e vogël me vendin që të dërgon në barazh. Ballkani që gjendet në vendin e 9-të (vend që të dërgon në barazh) ka 21 pikë të tubuara, dy më pak se Drita dhe gjashtë më pak se Gjilani.

Megjithatë, përveç rivalitetit brenda fushës, ajo që po pritet edhe me më shumë bujë është spektakli që kanë ditur të tregojnë dy tifozëritë e klubeve përkatëse, ‘Intelektualët’ e Dritës dhe ‘Skifterat’ e Gjilanit.
Dy tifozëritë kanë ditur gjithmonë të tregojnë rivalitet sportiv, pa shumë incidente të mëdha dhe me plotë spektakël.
Nesër, me fillim nga ora 13:30, për adhuruesit e futbollit kosovar do të ketë pak pushim nga lodhjet e përditshme të politikës dhe sytë janë kah qyteti i futbollit, ai i Gjilanit për ta përcjellur derbin e 34-të pasluftës të këtyre dyja ekipeve. /Periskopi/



