Kush është Cristiano Ronaldo, futbollisti që po i thyen zemrat e madrilenëve?

Kush është Cristiano Ronaldo, futbollisti që po i thyen zemrat e madrilenëve?

Real Madridi ka konfirmuar se superylli Cristiano Ronaldo do t’i bashkohet Juventusit për një shumë prej 100 milionë eurosh.

Megjithë kontributin e pamohueshëm në sukseset e njëpasnjëshme të Real Madridit, ai nuk gëzon simpatinë e pjesës më të madhe të tifozëve madrilenë, të cilët thuaj në çdo ndeshje e fërshëllejnë dhe e ofendojnë.

Juventusi i Torinos e ka gati të sigurtë titullin e kampionit në Itali – që do t’ia shëronte deri në një masë apetitin për trofe Ronaldos.

Cristiano ka luajtur 292 herë në kampionat dhe i ka shënuar 311 gola për skuadrën nga kryeqyteti spanjoll. Kjo është një arritje impresive, por e cila u mundësua edhe nga mënyra e lojës së këtij klubi, e cila ishte e përqendruar vetëm te lojtari që e  bart numrin 7.

Reputacioni i dëmtuar i Cristianos që nuk përputhet me shifrat e arritura, mund të jetë një ndër shkaqet që po e shtyn largimin e tij. Por, një tjetër gjë mund të jetë edhe paga e ulët e tij krahasuar me atë të yllit argjentinas Lionel Messi.

Ronaldo së fundi dështoi edhe me Portugalinë, duke u eliminuar në Kupën e Botës “Russia 2018” nga Uruguaji i Luis Suarezit.

Cristiano me Portugalinë ka arritur që t’i shënojë 84 gola në 154 ndeshje.

Ronaldo ka lindur në Sao Pedro, një vend i vogël me vetëm 7 mijë banorë. Emrin e tij të dytë “Ronaldo” ai e mori nga ish-presidenti amerikan Ronald Reagan. Ai e ka një vëlla më të madh dhe dy motra.

Ronaldo është rritur si katolik në një shtëpi shumë të varfër, duke e ndarë një dhomë me vëllain dhe dy motrat e tij.

Fillimisht ai luajti për ekipin Andorinha, nga i cili e bleu Sportingu për vetëm 1 mijë e 500 euro. Babai i Ronaldos, Jose Dinis Aveiro, ka vdekur nga alkoolizmi në moshën 52 vjeçare, kur Ronaldo ishte 20 vjeçar dhe luante për Manchester Unitedin.

Një shkak tjetër që mund ta ketë shtyer Ronaldon që të largohet nga Real Madridi është edhe problemi i tij me taksat. Para më pak se një muaji, më 15 qershor, ai u detyrua t’i paguante 21,7 milionë dollarë si dënim për shmangie të taksave për të shmangur burgun. Probleme të tjera mund të jenë duke ardhur për këtë futbollist lidhur me këtë çështje, dhe kjo mund të jetë arsyeja që e largon atë nga Spanja drejt Italisë. /Periskopi

Shpërndaje në: