Kush është Fjuçër Ajllënds, bendi që i pëlqen Albin Kurtit? (Video)
Në debatin e mbrëmshëm në Rubikon, i pyetur për shijet e tij muzikore, z.Albin Kurti e përmendi vetëm një grup amerikan “Fjuçër Ajllënds” [Future Islands].
Ky është një bend amerikan i zhanrit “synthpop” [shkurtesa për synthesizer pop, po ashtu e quajtur edhe si tekno-pop) nga Baltimora, në Merillend i formuar në vitin 2006.
Fjuçër Ajllënds morën famë në vitin 2014 me albumin e tyre “Singles”. Kënga kryesore e saj, “Seasons [Waiting on You” u konsiderua si kënga më e mirë e vitit 2014 nga Pitchfork dhe NME, ndërsa performimi i saj te i famshmi David Letterman në mars të 2014-s, u bë videoja më e shikuar në faqen e grupit në YouTube, shkruan Periskopi.

Te videoja për “Seasons”, ku regjisor është Xhej Buim [Jay Buim], portretizohen dy të dashuruar të rinj amerikanë që rrallë eksplorohen në botën e “indie rok”. Pamjet rurale-suburbane janë të rrënjosura në 2014-n, kur grupi bën thirrjen problematike për “kohë më të thjeshta”.
Por, çfarë do të thotë emri i këtij grupi. Kjo është përgjigjja e anëtarit William Cashion: “Emri duhej të ishte i paqartë… Ne ose do të quheshim Already Islands ose Future Shoes. Sepse, seriozisht, ju nuk e dini se si do të duken këpucët në të ardhmen, por do t’i donit një palë! Kështu që pasi vendosëm se Already Shoes ishte emër i keq, ne dolëm me emrin Future Islands. Kjo është e vërteta e mërzitshme. Më falni!”
Marrë parasysh shijen muzikore të Kurtit, është pa diskutim tepër e zorshme të kuptojmë lidhjen e tij me njerëzit e tjerë në Vetëvendosje, që njihen si ithtarë të muzikës folklorike.



