Kush është ‘majmuni’ i Napolit, mbrojtësi më i mirë në botë?

Kush është ‘majmuni’ i Napolit, mbrojtësi më i mirë në botë?

Në Xhyzepe Meaca [Giuseppe Meazza] të Milanit, mbrëmë u zhvillua superderbi mes Interit dhe Napolit. Fituan të parët me një gol në minutat e fundit të ndeshjes. Por, kur u shënua goli në lojë nuk ishte futbollisti më i mirë napolitan, me emrin Kalidou Koulibaly.

Koulibaly ishte përjashtuar nga loja pasi e mori të verdhë kur e duartrokiti referin që nuk ndërmerrte asgjë derisa tifozët e Interit nuk ndalnin koret drejt tij. Por, për çfarë kore po bëjmë fjalë? Për kore raciste, në të cilat pa pushim ai quhej ‘majmun’ shkaku i ngjyrës së lëkurës së tij.

Ajo që mund t’i ketë irrituar tifozët racistë të Interit është edhe performansa briljante e këtij futbollisti, i cili shpëtoi disa herë ekipin e tij nga pësimi i golit me tre-katër ndërhyrje vendimtare, përcjell Periskopi.

Duke qenë 1,95 i gjatë, shumë i fuqishëm në çdo duel, dhe duke ia pamundësuar Interit të hynte brenda zonës – ai dukej i frikshëm dhe tmerrues. Praktikisht, Interit lojën nuk ia fitoi Lautaro Martinez, por tifozët racistë të Interit, ose më shkurt, racizmi.

Vlera aktuale e Koulibaly sipas Transfermakt është hiç më pak se 70 milionë euro. Ai është i kërkuar nga të gjithë gjigantët evropianë shkaku i performancave të jashtëzakonshme. Aktualisht llogaritet si më i miri në botë si qendërmbrojtës.

Koulibaly ka lindur në Francë para 27 viteve nga prindër senegalezë. Ai është mysliman i devotshëm dhe çdoherë falet para ndeshjeve.

Karriera e tij nuk ka nisur me ekipe të mëdha, por nga gati kurrkund hiç, ai ia doli të arrinte në kulm. Ka luajtur për ekipin e dytë të Metzit. Pastaj për Metzin ka luajtur vetëm kur është bërë 20 vjeç, që është goxha moshë e shtyer për një profesionist. Ka luajtur edhe në Genk, Belgjikë. Por, një vizionar me emrin Rafa Benitez e mori atë në Napoli ku ia doli të bënte historinë.

Deri tash ai ka bërë 131 paraqitje në Serie A dhe ka shënuar 8 gola. Sa i përket kombëtareve, ai luan për Senegalin dhe ka arritur t’i bëjë 29 paraqitje deri tash.

Ai është aq i madh e fizikisht i fuqishëm sa në shikim të parë nuk do të mendonte askush se është i aftë të luajë në mënyrë aq elegante. Koulibaly është i njohur për fuqinë që ka në luftimet në ajër, për pasimet e sakta dhe zhdërvjelltësinë në situata të rrezikshme. Ai mund të luajë edhe në pozicione tjera, si mesfushor defanziv dhe mbrojtës i të dyja krahëve. Napolitanët e thërrasin “Muri” duke qenë se është i pakalueshëm. /Periskopi

Shpërndaje në: