Kush është Mourinho, trajneri nga ‘hero në zero’ që ndërtoi karrierë duke qenë kundërthënës?

Kush është Mourinho, trajneri nga ‘hero në zero’ që ndërtoi karrierë duke qenë kundërthënës?

Jose Mario dos Santos Mourinho Felix u shkarkua sot nga puna e tij si menaxher në Manchester United pas gati dy vjet e gjysmë qëndrimi në klub. Ai nuk ia doli mbanë të ushtronte këtë post as sa 1/10 e trajnerit legjendar të këtij klubi, Sir Alex Ferguson i cili kishte qëndruar për 26 vite. Po e përmendim këtë fakt me shkas: pasi erdhi me ambicie të larta Mourinho vetë kishte potencuar se do të rrinte në klub për kohë të gjatë, dhe se do të përfundonte karrierën në moshën 75 vjeçare, shkruan Periskopi.

Jose-ja u lind në vitin e largët 1963 në një familje të klasës së mesme në Setubal të Portugalisë. Babain e kishte pasur futbollist profesionist që kishte luajtur për ekipe të njohura si Belenenses dhe Vitoria de Setubal, duke qenë i ftuar madje edhe një herë për kombëtaren e Portugalisë.

Jose-ja i vogël donte të ndiqte hapat e babait por dështoi keq. Ai luajti për ekipe si Rio Ave, Belenenses dhe për ekipe amatore si Sesimbra dhe Comercio e Industria në rolin e mesfushorit.

Në vitin 2000 ai zëvendësoi trajnerin e njohur Jupp Heynckes si trajner i Benficas në Primeira Ligën e Portugalisë.

Paraprakisht, mentori i tij Sir Bobby Robson e kishte ftuar atë të bëhej asistent te Newcastle United. Aq shumë e donte si asistent sa i kishte premtuar se do të tërhiqej pas dy vitesh për t’ia lëshuar vendin si kryetrajner. Mourinho e refuzoi duke thënë se Robson nuk do të hiqte dorë kurrë nga klubi që e donte.

Nga Benfica ai u largua vetëm pas disa muajsh duke qenë se presidenti i klubit kishte hezituar t’ia vazhdonte kontratën.

Në korrik të vitit 2001 ai u bë trajner i Uniao de Leirias. Ai pati sukses te ky klub duke vazhduar ta mbante lart në majën e Ligës së Portugalisë.

Menjëherë më 23 janar të vitit 2002 ai u bë trajner i Portos. Mourinho e mori klubin në vendin e pestë dhe ia doli ta çonte deri në vendin e tretë.

Pjesa tjetër dihet nga fansat e futbollit. Ai e bëri Porton kampione të Portugalisë, fitoi Kupën UEFA e më pas edhe Ligën e Kampionëve. Kaloi te Chelsea ku qëndroi deri në vitin 2007. Chelsea ishte ndër ekipet më të mira të Evropës në atë vakt, por pas dy titujsh të ligës ai dështoi të fitonte vazhdimisht Ligën e Kampionëve dhe madje në vitin 2007 kishte humbur titullin e ligës. Ishte shkarkuar.

Më 2 qershor të vitit 2008 ai ishte bërë trajner i Interit të Milanit. Te ky klub ai përsëriti sukseset e trajnerit të mëparshëm, Roberto Mancinit, duke fituar titujt e Serie A dhe duke arritur të fitonte edhe Ligën e Kampionëve.

Pas suksesit te Interi ai u bë trajner i skuadrës më të madhe evropiane, Real Madrid që kishte  bërë blerje të bujshme nga sezoni i kaluar 2009. Sezonin e parë, ai implementoi taktika defanzive por u bë horë duke dështuar keq në të gjitha frontet. Taktikat i ndërroi menjëherë vitin e ardhshëm, duke e lëshuar dorën edhe pas fërshëllimave të vazhdueshme të tifozëve madrilenë që donin “lojë ofensive”. Mou dështoi përfundimisht te Real Madridi.

Më pas u kthye te Chelsea ku fitoi një titull të Ligës por në sezonin tjetër ishte aq katastrofal sa Chelsea ndodhej në pjesën e poshtme të tabelës.

Dhe te United përsëri ka dështuar gjë që e bën krejt të udhës të pyetet: A është njëmend Mourinho një ndër trajnerët më të mirë në Evropë? Mos ishte veç punë fati suksesi i tij i nganjëhershëm?

Një ndër lojtarët dhe trajnerët më të mirë të të gjitha kohërave, legjenda Johan Cruyff pati thënë për të: “Mourinho është trajner negativ. Atij i bën veç për rezultatin dhe as që i han palla për futboll të mirë.”

Mourinho njihet për anën e tij kontroverse. Ai ia kishte shkatërruar karrierën referit Anders Frisk pas deklaratave të pamatura se ai ishte takuar gjatë pjesës së parë me trajnerin e atëhershëm të Barcelonës, Frank Rijkaard. Chelsea i tij ishte eliminuar dhe Frisk kishte marrë kërcënime të shumta me vdekje nga tifozët gjë që kishte bërë që ai të tërhiqej para kohe nga referimi.

Shefi i referëve të UEFA-s Volker Roth e ka quajtur Mourinhon: “armikun e futbollit”.

Mourinho poashtu njihet për futjen e gishtit në syrin e tashmë të ndjerit Tito Vilanova. Ai kishte deklaruar se “nuk e dinte kush ishte Pito [penisi në spanjisht]” si referencë për Titon. /Periskopi

Shpërndaje në: