Kush është Ursula von der Leyen, gruaja më e fortë në Evropë që e lindi një kallaballëk me fëmijë?
Kush është udhëheqësja kryesore e BE-së
Ursula von der Leyen është gruaja që u nominua për pozitën e presidentes së Komisionit Evropian që mbahej deri tash nga Jean-Claude Juncker.
Zonja von der Leyen do të bëhet gruaja e parë që do të marrë presidencën e Komisionit – nëse nominimi i saj kalon në Parlamentin Evropian – me përgjegjësi të mëdha që përfshijnë propozimin e ligjeve të reja për BE-në, përforcimin e rregullave të bllokut dhe arritjen e marrëveshjeve tregtare.
Ajo është lindur në Bruksel, por bashkë me familjen u shpërngul në Gjermani kur ishte vetëm 13 vjeçare. Von der Leyen ka studiuar ekonominë në Londër dhe medicinën në Hanover para se të futej në politikë. Ajo e flet rrjedhshëm gjuhën angleze dhe atë franceze, përveç gjuhës amë gjermanishtes.
Ursula është aleate e ngushtë e kancelares gjermane Angela Merkel dhe ka qenë anëtare e partisë së kësaj të fundit që nga viti 2005.
Tash ajo i ka 60 vjet, dhe është nëna e shtatë fëmijëve, një shifër goxha e lartë për një vend që mesataren e ka 1,59 fëmijë për një grua.
Politikanja gjermane është tepër e zëshme për integrimin e vendeve tjera në BE, dhe mbështet fuqishëm edhe bashkëpunimin ushtarak në BE në mënyrë që të promovohet paqja.
Ajo ka një popullaritet të rritur në Gjermani nga viti 2013, kur kishte marrë detyrën e ministres së mbrojtjes. Sidoqoftë, edhe kritikët e saj janë tepër të ashpër duke e kritikuar për punën e bërë si ministre e Merkelit./Periskopi



