Kush ishte Ismail Qemali, figura kontraverse e kombit që vdiq 100 vjet më parë?
Ismail Qemal Vlora ishte politikan dhe publicist shqiptar që shërbeu si president, kryeministër dhe ministër i parë i jashtëm i Shqipërisë nga 1912-a deri më 1914. Ai konsiderohet gjerësisht, shkruan Periskopi, të jetë një prej etërve themelues të Shqipërisë moderne, duke qenë se e shkroi dhe lexoi deklaratën e Pavarësisë së vendit.
Ai ishte lindur në Vlorë, në një familje shumë të njohur shqiptare me anëtarë që përfshinin Vezirin e njohur Mehmed Ferid Psaha dhe politikanin Syrja Vlora.
Ai u shkollua në Janinë dhe Stamboll ndërsa u martua me një grua greke me të cilën i pati shtatë fëmijë, të cilët i arsimoi po në Greqi.
Qemali ishte i afërt me autorin e Kushtetutës Osmane [1876] Midhat Pashën, i cili kur u largua nga pushteti prej Sulltanit, ia lëndoi karrierën edhe Ismail Qemalit që ishte dërguar në ekzil në Anadoll. Qemali më 1892 i kishte prezantuar sulltanit një plan për një Konfederatë Ballkanike. Por, ajo çka është e çuditshme është se Qemali nuk e konsideronte as Shqipërinë e as Maqedoninë si shtete të pavarura brenda kësaj Konfederate, por si pjesë të Turqisë.
Mes viteve 1902 dhe 1903 ishte bërë një puç ndaj sulltanit Adbulhamid II. Pjesë e tij ishte edhe Ismail Qemali, që madje kishte marrë pjesën më të vështirë të këtij plani në implementim. Ai e mbante një njësi në Paris. Gjatë asaj kohe ai kishte udhëtuar shumë herë në vendet perëndimore për të marrë mbështetje. Sidoqoftë, përpjekjet e tij dështuan.
Më 1907 ai kishte bërë marrëveshje me qeverinë greke që këta të fundit ta përkrahnin përpjekjen e Shqipërisë për pavarësi. Ai në një intervistë për një medium italian kishte bërë thirrje për bashkim të popujve të Ballkanit. Ai shihem me shumë dyshim shkaku i lidhjeve të forta që kishte me britanikët dhe grekët.
Pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Qemali jetoi në ekzil në Paris, shkaku i mungesës së parave. Memoaret e tij, botuar në prestigjiozen Daily Mail, janë e vetmja biografi e një shtetari osman e shkruar në gjuhën angleze. Nuk dihen zyrtarisht shkaqet e vdekjes së tij, sepse e pati një sulm në zemër më 24 janar të 1919-s në Peruxha. Shumë dyshojnë se ai është helmuar edhe pse nuk dihet se nga kush duke qenë se në atë kohë ishte politikan i margjinalizuar dhe jashtë funksionit.



