Kushërinjtë janë për dasma e militantët e VV’së për në KEK: Krejt çka u tha për pesë ditë rresht

Kushërinjtë janë për dasma e militantët e VV’së për në KEK: Krejt çka u tha për pesë ditë rresht

‘Iu punësua në KEK kushëriri, shoku, militanti  i Vetëvendosjes etj’, ishin nga fjalët më të shpeshta që kemi dëgjuar e lexuar që nga dita e parë e javës që po lëmë pas. Pra që nga e hëna kur shpërtheu skandali me punësimet e njerëzve të afërt të Vetëvendosjes në Koorporatën Energjetike të Kosovës.  Pati reagime të ashpra, si nga opozita ashtu edhe nga qytetarët në përgjithësi. Pushteti qiti deklarata arsyetuese e mbrojtëse…

‘’Kushërinjtë janë për dasma, jo për  qeveri’’ – Është thënia e famshme e Albin Kurtit pak para se të bëhej kryeministër i vendit. E këtë zotim e shkeli shumë shpejt në momentin që u ulë në karrigen e Qeverisë. Në digasteret e institucionet publike s’mbeti kush nga Vetëvendosje pa u përfshirë në punësime familjare e partiake. I fundit rast, me bujë shumë të madhe ishte ky me KEK’un, ku nga 128 kandidatë të pranuar, dolën se dhjetëra prej tyre ishin të afërt me Lëvizjen Vetëvendosje. Kryeministri ‘qele guri gojën’ për këtë punë deri tash!

Të parët që lëshuan një reagim sikurse një OJQ, ishte Koorporata Energjetike e Kosovës (KEK). Në sqarimin e tyre thuhej se ka plot ankesa të kandidatëve, por se të gjitha ato do i shqyrtojnë.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) të martën doli me një konferencë për këtë shkak, duke i quajtur punësime ‘super-Pronto’ të Vetëvendosjes. Kur jemi te LDK’ja, lideri i saj, Lumir Abdixhiku doli e tha se do dorëzojnë kallëzim penal.

Nga radhët e opozitës, edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ironizoi me moton e LVV-së duke thënë “Krejt dhe drejt, yrysh me kap KEK-un”.

Zërin e ngriti  edhe kryetari i Sindikatës në KEK, Nexhat Llumnica, duke thënë  se nuk ka parë asgjë tjetër veçse vazhdimësi të pushteteve të kaluara.

Në mesin e reagimeve, ishte një djalë dëshmori. Patriot Brahimi tregoi se si ishte injoruar në konkurs , ndërkohë që sipas tij, u punësuan pikërisht familjarët e anëtarëve të Bordit të KEK’ut. U punësuan militantët e VV’së, u injoruan familjarët e dëshmorëve në KEK, Bilalli: Padrejtësi e madhe.

Agjencia Kundër Korrupsionit njoftoi se është involvuar  në çështjen e punësimeve të cilat kanë mundur të ndodhin jashtëligjshëm. Për hetime, reagoi edhe Prokuroria, duke theksuar se po i përcjellin me vëmendje raportimet.

Çka tha pushteti i Kurtit?

-Akuza të pabaza’, ishte deklarata e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, si e para që tha disa fjalë pas skandalit me punësimet militante në KEK.

Ministri i Financave, Hekuran Murati arsyetoi punësimet e militantëve të VV’së në KEK, sikurse Kurti, akuzoi qeverisjet e kaluara.

‘Kjo s’ka të bëjë fare me Vetëvendosjen’, ishte fjala e tij në Kuvend.

E zyrtari i VV-së, Avni Zogiani u mundua ta shpjegojë situatën me punësimet duke pretenduar se të punësuarit kanë vetëm fotografi me figurat e njohura të Vetëvendosjes, por jo ndonjë lidhje të afërt. Arsyetim kot, a po jo?

‘Mund të ketë edhe votues të VV’së të punësuar në KEK, edhe ata kanë të drejtë’, ishte reagimi ‘prekës’ i deputetit Haki Abazi.

Pastaj, doli sekretari për Media dhe Komunikim në Vetëvendosje, Arlind Manxhuka , i cili kërcënoi mediat me padi veç pse raportuan për skandalin e punësimeve në KEK. Natyrisht, e mohoi.

Kush doli të pranojë haptas punësimet e të afërmëve në KEK?

Ingjinieri i Termocentralit Kosova B, Yll Shala, i cili ka qenë njëherësh edhe kryetar i komisionit intervistues të punësimit në KEK, ka pranuar se është përkrahës  Albin Kurtit  dhe se aty i është punësuar vëllai në konkursin në fjalë.

Deputeti i Vetëvendosjes, Halil Thaçi, për të cilin u raportua se iu punësua kushëriri, e ka pranuar në emision live të Debat Plusit.

‘’Faton Thaçi, është kushëri i imi.  Baba i tij dhe i imi janë djem të mixhës. Në listë sa e pashë ka edhe njerëz prej PDK, LDK e militantë.’’, u arsyetua ai.

Çka u tha në Kuvend për punësimet  në KEK?

Seanca e Kuvendit të Kosovës, të enjten nisi me një debat të ashpër për zhvillimin për të fundit, pra punësimet e KEK’ut.

Deputetja e LDK’së,  Hykmete Bajrami  citoi deklaratën e Kurtit, kur thoshte pra se kushërinjë janë për dasma e për te shija.

Deputeti i PDK’së, Ferat Shala teksa kritikoi procesin, tha se sot Kurti do të duhej ta vizitonte KEK-un dhe t’i kërkonte falje punëtorëve për premtimet e parealizuara.

Periskopi, shkoi direkt në Obiliq për t’i pyetur qytetarët, dhe ata rrëfyen se si familjarë të tyre ishin përjashtuar e nuk ishin ftuar fare nëpër intervista. Kujtojmë që sipas Ligjit për Obiliqin, banorët e këtij qyteti kanë përparësi në punësim në Koorporatë./PERISKOPI/

Shpërndaje në: