Kushëriri i Valon Berishës humbi jetën në një aksident në Austri, futbollisti ia ofroi ndihmën e parë
Mesfushori i FC Zurich, Valon Berisha, po kalon momente të rënda personale, pasi këtë fundjavë në Austria humbi jetën kushëriri i tij në një aksident të rëndë trafiku.
Viktima, një 38-vjeçar kosovar me pasaportë zvicerane nga Rothrist, ndërroi jetë të dielën rreth orës 08:10 teksa po drejtonte një furgon në autostradën perëndimore Westautobahn. Sipas raportimeve, automjeti doli nga korsia dhe u përplas fuqishëm me një barrierë druri kundër zhurmës pranë pikës së shërbimit Lindach, në afërsi të Laakirchen. Gazeta Kronen Zeitung shkruan se dëmet e mëdha të mjetit e bënë të pamundur shpëtimin e tij.
Në momentin e aksidentit, Berisha po udhëtonte me veturë përpara furgonit dhe u bë dëshmitar i drejtpërdrejtë i ngjarjes. Futbollisti ndaloi menjëherë dhe nxitoi drejt vendit të aksidentit për të dhënë ndihmën e parë dhe për të kontaktuar shërbimet emergjente, por fatkeqësisht pa sukses.
Klubi zviceran reagoi me një deklaratë ngushëllimi, duke theksuar mbështetjen për lojtarin në këtë periudhë të vështirë.
“FC Zürich është thellësisht i tronditur nga aksidenti tragjik në Austri, ku humbi jetën një i afërm i afërt i lojtarit tonë Valon Berisha. Valoni nuk ishte i përfshirë drejtpërdrejt në aksident, por ishte dëshmitar i tij. Klubi qëndron pranë tij dhe e mbështet plotësisht në këto momente të vështira.”
Kujtojmë se Berisha u transferua së fundmi nga LASK te FC Zürich gjatë merkatos së dimrit dhe të shtunën në mbrëmje bëri debutimin si titullar në fitoren 2-1 ndaj Grasshopper Club Zurich.



