Kushtetuesja i jep afat shtesë Kurtit për presidentin, dekreti i Osmanit s’prodhon asnjë efekt juridik
Gjykata Kushtetuese ka dalë me vendim në lidhje me kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit.
Në aktgjykim është thënë se Kuvendit i jepen edhe 34 ditë afat shtesë për zgjedhjen e Presidentit.
Më poshtë;
Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese:
Gjykata, bazuar në leximin dhe interpretimin e paragrafit 2 të nenit 86 të Kushtetutës që përcakton se “Zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual”, rithekson se ky afat është detyrues dhe përfundimtar, dhe se marrë për bazë karakterin detyrues të këtij afati, i njëjti nuk mund të relativizohet.
Megjithatë, Gjykata thotë se duke iu referuar nënparagrafit 3 të paragrafit 1 të nenit 82 të Kushtetutës, përmes të cilit përcaktohet që Kuvendi shpërndahet në rastin kur “nëse brenda afatit prej gjashtëdhjetë (60) ditësh nga dita e fillimit të procedurës së zgjedhjes, nuk zgjedhet Presidenti i Republikës së Kosovës”, Gjykata marrë për bazë kontekstin specifik të rrethanave të konstituimit të Kuvendit më 11 shkurt 2026, vlerësoi se Kuvendi nuk ka pasur gjashtëdhjetë (60) ditë në dispozicion, brenda të cilës periudhë duhej përfunduar procedura për zgjedhjen e Presidentit.
“Si rrjedhojë, Gjykata rithekson se interpretimi i saj lidhur me afatet kushtetuese të përcaktuara me nënparagrafin 3 të paragrafit 1 të nenit 82 të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 2 të nenit 86 të Kushtetutës, për zgjedhjen e Presidentit, ashtu siç është specifikuar në paragrafët 153-162 të këtij Aktgjykimi, mbeten të aplikueshme në të gjitha rastet e zgjedhjes së Presidentit në të ardhmen, përkatësisht procedura për zgjedhjen e Presidentit të ri, e cila nuk mund të zgjasë më shumë se gjashtëdhjetë (60) ditë duhet të fillojë përpara dhe të përfundojë jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual”.
“Në fund, Gjykata rithekson që në rast se pas hyrjes në fuqi të këtij Aktgjykimi, përmes të cilit përcaktohet që Kuvendi brenda tridhjetë e katër (34) ditëve duhet të vazhdojë dhe përfundojë zgjedhjen e Kreut të Shtetit, Kuvendi dështon të zgjedhë Presidentin/en e ri/re, Kuvendi, bazuar në nënparagrafin 3 të paragrafit 1 të nenit 82 të Kushtetutës shpërndahet ex constitutione, dhe për pasojë, zgjedhjet e parakohshme për Kuvend duhet të zhvillohen brenda dyzet e pesë (45) ditësh, pas ditës së shpërndarjes së Kuvendit, ashtu siç përcaktohet me paragrafin 2 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] dhe paragrafit 6 të nenit 86 [Zgjedhja e Presidentit] të Kushtetutës”.
Për këto arsye, Gjykata Kushtetuese, në pajtim me paragrafin 2 të nenit 113 të Kushtetutës, nenin 29 të Ligjit, dhe rregullat 48 (1) (a) dhe 65 të Rregullores së punës, më 25 mars 2026, njëzëri vendos të deklarojë kërkesën e LVV-së të pranueshme.
“TË KONSTATOJË që Dekreti [nr.24/2026] i 6 marsit 2026 i Presidentes së Republikës së Kosovës nuk prodhon asnjë efekt juridik; TË KONSTATOJË që deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga dita e hyrjes në fuqi të këtij Aktgjykimi kanë tridhjetë e katër (34) ditë për të zhvilluar dhe përfunduar procedurën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës; TË KONSTATOJË që në rast se Kuvendi dështon të zgjedhë Presidentin brenda periudhës së përcaktuar në pikën III të dispozitivit të këtij Aktgjykimi, bazuar në nënparagrafin 3 të paragrafit 1 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Kuvendi shpërndahet ex constitutione, dhe për pasojë, zgjedhjet e parakohshme për Kuvend duhet të zhvillohen brenda dyzet e pesë (45) ditësh, ashtu siç përcaktohet me paragrafin 2 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] dhe paragrafin 6 të nenit 86 [Zgjedhja e Presidentit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; TË KONSTATOJË që Vendimi i Gjykatës për vendosjen e masës së përkohshme, i 9 marsit 2026 shfuqizohet me hyrjen në fuqi të këtij Aktgjykimi”.
Gjykata tha se ky Aktgjykim hyn në fuqi menjëherë.



